Kolumbia vulos kualifikimin, fiton biletën e fundit për në 1/8-at e Botërorit 2026
- 18 hours ago
- 2 min read
Përfaqësuesja latino-amerikane mposhti Ganën 1-0 me golin e Ariasit, dominoi takimin nga fillimi në fund dhe në fazën e 1/8-ave do të përballet me Zvicrën...
Kolumbia u bë skuadra e fundit që siguroi kualifikimin në fazën e 1/8-ave të Kupës së Botës 2026, pasi mposhti Ganën me rezultatin 1-0 në një ndeshje ku pati kontroll të plotë të lojës.
Përfaqësuesja latino-amerikane nuk u vu në vështirësi në asnjë moment nga kundërshtari afrikan dhe e meritoi plotësisht fitoren. Goli i vetëm i sfidës u shënua nga Arias në minutën e 14-të, ndërsa rezultati minimal nuk pasqyron dominimin e Kolumbisë, e cila krijoi shumë raste për të shënuar edhe gola të tjerë.
Në fazën e 1/8-ave, Kolumbia do të përballet me Zvicrën. Takimi është programuar të zhvillohet në Vankuver më 7 korrik.
Gana e nisi takimin me një goditje të Thomas Partey-t, e cila kaloi ngjitur me shtyllën para se të plotësohej minuta e parë. Megjithatë, kjo mbeti tentativa më e rrezikshme e afrikanëve.
Pas këtij momenti, Kolumbia mori plotësisht kontrollin e lojës. Epërsia u konkretizua në minutën e 14-të, kur Arias shënoi me një goditje të saktë brenda zonës, pas një krosimi të Luis Suárez.
Skuadra e drejtuar nga Néstor Lorenzo vazhdoi të ushtronte presion dhe humbi një sërë rastesh për të dyfishuar avantazhin. Portieri ganez Lawrence Ati-Zigi zhvilloi një paraqitje të shkëlqyer, duke ndalur përpjekjet e Luis Díaz në minutat 20 dhe 58, një goditje me kokë nga afër të Johan Mojica në fundin e pjesës së parë (45+1') si edhe tentativën e Puertës në minutën e 55-të.
Pavarësisht pritjeve të portierit të Ganës, sulmi afrikan nuk arriti të reagojë. Kolumbia administroi me qetësi epërsinë deri në vërshëllimën përfundimtare dhe siguroi pa vështirësi kualifikimin për në fazën e 1/8-ave.
Gjyqtar: Clément Turpin (Francë)
Kartonë të verdhë:
Kolumbia: Arias (12'), Ríos (78')
Gana: Yirenkyi (49'), Fatawu (66'), Seidu (76')
Kolumbia (trajner: Néstor Lorenzo): Vargas, Muñoz, Lucumí, Puerta, Mojica, Sánchez, James Rodríguez (46' Ríos), Arias (73' Quintero), Lerma, Luis Díaz (90' Campaz), Córdoba (8' Luis Suárez).
Gana (trajner: Carlos Queiroz): Ati-Zigi, Mensah, Opoku, Lukasen, Senaya (13' Seidu), Yirenkyi (79' Adu), Partey, Simbo (62' Owusu), Semenyo, Jordan Ayew (79' Nuamah), Iñaki Williams (62' Fatawu).
“KORÇA BOOM”
















