Maroku nuk ndalet! Shkatërron Kanadanë dhe fluturon në çerekfinalet e Kupës së Botës
- 5 minutes ago
- 1 min read
Maroku siguroi një vend në çerekfinalet e Kupës së Botës 2026,, pasi mposhti Kanadanë me rezultatin e pastër 3-0 në stadiumin e Hjustonit.
Pjesa e parë ishte e balancuar, me Kanadanë që krijoi më shumë raste për shënim. Portieri Yassine Bounou (Bono) u tregua vendimtar me disa pritje, duke mbajtur të paprekur portën e Marokut.
Afrikanët zhbllokuan sfidën pesë minuta pas nisjes së pjesës së dytë. Pas një aksioni të ndërtuar nga Achraf Hakimi dhe Azzedine Ounahi, ky i fundit përfitoi nga hapësirat në mbrojtjen kanadeze dhe mposhti portierin Maxime Crépeau për 1-0.
Pas avantazhit, Maroku administroi lojën me qetësi, ndërsa Kanadaja provoi të rikthehej në ndeshje me raste të krijuara nga Jonathan David dhe Tajon Buchanan, por pa arritur të gjejë golin e barazimit.
Në minutat e fundit, Maroku vulosi fitoren. Ounahi realizoi dopietën personale pas një aksioni të ndërtuar nga Brahim Díaz, ndërsa pak çaste më vonë Soufiane Rahimi goditi traversën. Goli i tretë erdhi në fund të takimit, kur Brahim Díaz përfundoi me sukses një kundërsulm të shpejtë, duke fiksuar shifrat përfundimtare 3-0.
Me këtë fitore, Maroku kualifikohet për herë të dytë radhazi në çerekfinalet e Kupës së Botës. Në fazën e ardhshme, përfaqësuesja marokene do të përballet me fituesin e çiftit Paraguaj–Francë.
“KORÇA BOOM”
















