Tragjedi në Otranto/ Babai shpëton binjakët dhe humb jetën në breg
- 7 hours ago
- 1 min read
Një ngjarje e rëndë është regjistruar në plazhet e Otranto, ku një 54-vjeçar ka humbur jetën pasi arriti të shpëtonte dy fëmijët e tij binjakë 8-vjeçarë nga rrymat detare.
Sipas raportimeve, incidenti ka ndodhur mëngjesin e së shtunës, rreth orës 11:30, në një moment kur në det ndodheshin disa pushues, pavarësisht kushteve të vështira me erë të fortë dhe rryma të fuqishme.
Dy fëmijët janë tërhequr papritur nga rrymat dhe janë larguar nga bregu, duke rrezikuar mbytjen. I alarmuar nga situata, babai është hedhur menjëherë në ujë dhe ka arritur t’i afrohet binjakëve, duke i ndihmuar të kthehen sërish në breg.
Megjithatë, pasi ka dalë në breg, 54-vjeçari, i identifikuar si Gennaro Cagnazzo nga zona e Leçes, është ndjerë papritur keq dhe është rrëzuar në rërë.
Pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme të pushuesve dhe më pas ekipeve të emergjencës, përpjekjet për ta rikthyer në jetë kanë rezultuar të pasuksesshme. Autoritetet dyshojnë se ai ka pësuar një problem të menjëhershëm shëndetësor pas sforcimit fizik dhe përpjekjes për shpëtim.
Ngjarja ka shkaktuar tronditje të madhe në zonë, ndërsa dy fëmijët fatmirësisht kanë shpëtuar pa lëndime serioze.
“KORÇA BOOM”
















