Konflikti mes autoriteteve dhe medias, një tjetër incident shoqërohet me pasoja shëndetësore
Një tjetër incident është shënuar përpara godinës së mediave News24 dhe Panorama, ku përplasjet ndërmjet stafit të redaksive dhe autoriteteve shtetërore kanë vijuar për ditë me radhë.
Ngjarja e fundit përfshin Drejtorin Teknik të kompanisë, Arkad Bazaiti, i cili ka pësuar probleme shëndetësore pasi është nxjerrë me forcë nga ambientet e brendshme të godinës, gjatë një përpjekjeje për të tërhequr pajisjet e punës që ishin sekuestruar më herët gjatë një operacioni të autoriteteve.
Sipas dëshmitarëve, ndërhyrja e forcave të sigurisë ka qenë e ashpër, duke shkaktuar gjendje të rënduar emocionale dhe fizike te Bazaiti, i cili ka pasur nevojë për ndihmë mjekësore në vendngjarje. Një autoambulancë mbërriti menjëherë dhe i ofroi ndihmën e parë, ndërsa më pas ai është dërguar për kontrolle të mëtejshme.
Ky zhvillim vjen në një moment tensioni të vazhdueshëm, pasi gazetarët dhe punonjësit e këtyre mediave nuk lejohen të aksesojnë ambientet e punës, pavarësisht se një vendim gjyqësor ka urdhëruar rikthimin e stafit në ambiente dhe kthimin e materialeve të sekuestruara.
Stafi i Panorama Group ka kërkuar zbatimin e menjëhershëm të vendimit të gjykatës, ndërsa autoritetet vijojnë të refuzojnë ekzekutimin e tij, duke e përshkallëzuar më tej konfliktin midis medias dhe institucioneve.
“KORÇA BOOM”
















