top of page

Kontrolle intensive / 3012 gjoba dhe 34 mjete të bllokuara në 48 orë

  • 3 minutes ago
  • 1 min read

Policia e Tiranës ka intensifikuar kontrollet në akset kryesore rrugore dhe në zona të ndryshme të kryeqytetit gjatë 48 orëve të fundit.


Kontrollet, të zhvilluara nga Forca e Posaçme Operacionale dhe shërbimet e Policisë Rrugore, kanë pasur në fokus armëmbajtjen pa leje, lëndët narkotike, personat në kërkim, si dhe kontrollin e automjeteve luksoze, të blinduara, me xhama të errësuar dhe me modifikime që shkaktojnë zhurma shqetësuese.


Sipas policisë, janë kontrolluar 131 automjete dhe 213 shtetas. Pesë persona dhe automjete janë shoqëruar në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë për verifikime të mëtejshme.

Ndërkohë, 7 persona janë arrestuar ose proceduar për drejtim mjeti në gjendje të dehur, drejtim pa leje drejtimi apo shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.


Gjatë kontrolleve janë vendosur 3012 masa administrative për shkelje të ndryshme, përfshirë tejkalimin e shpejtësisë, drejtimin nën efektin e alkoolit, përdorimin e celularit gjatë drejtimit të mjetit, mosvendosjen e rripit të sigurimit, xhamat e errësuar dhe parakalimet e gabuara.


Gjithashtu, janë bllokuar 34 automjete dhe janë tërhequr 9 leje qarkullimi.

Policia njofton se kontrollet do të vijojnë në mënyrë të pandërprerë, me fokus rritjen e sigurisë publike dhe rrugore dhe parandalimin e paligjshmërive.

“KORÇA BOOM”


bottom of page