top of page

Kriza e mandarinave, prodhuesit dhe grumbulluesit: Malli na mbetet stok, nuk ka treg

  • Writer: Korca Boom
    Korca Boom
  • 23 hours ago
  • 1 min read

Në Konispol situata është bërë shqetësuese për prodhuesit e mandarinave.


Ndërsa plantacionet janë plot dhe sezoni ka hyrë në pikun e tij, fermerët thonë se prodhimi po u mbetet stok për shkak të mungesës së tregut.


Goditja më e fundit ka ardhur edhe nga përmbytjet e mëdha që prekën fushën e Konispolit, duke dëmtuar një pjesë të konsiderueshme të kulturave. Fermerët shprehen se mandarinat tashmë nuk mund të rrinë më gjatë në pemë, pasi koha optimale e vjeljes ka ardhur dhe çdo ditë që kalon rrezikon humbje të mëdha ekonomike.


Sipas tyre, mandarinat kanë të gjitha analizat e nevojshme, të kryera brenda dhe jashtë vendit, ndërsa cilësia është e garantuar. Megjithatë, mungesa e tregut dhe kostot e larta po e bëjnë të pamundur shitjen e prodhimit, duke vënë në rrezik mundin e një viti të tërë.


Prodhuesit dhe grumbulluesit nga Konispoli i bëjnë thirrje Ministrisë së Bujqësisë të ndërhyjë urgjentisht me masa konkrete për t’i ndihmuar të shmangin falimentimin dhe për të gjetur një zgjidhje për tregtimin e prodhimit.


“Ne kemi investuar gjithë vitin. Tani mandarinat janë gati për treg, por tregu mungon.


Kërkojmë ndihmë, sepse ndryshe gjithë mundi ynë po shkon dëm”, shprehen fermerët.


Zona e Konispolit mbetet një nga furnizuesit kryesorë të tregut të brendshëm me mandarina, ndaj kriza aktuale rrezikon të ndikojë në gjithë zinxhirin e furnizimit./ Oranews

“KORÇA BOOM”

ree

bottom of page