Kufizohen komunikatat ditore të Policisë, media kundër modelit të ri
- May 9
- 1 min read
Policia e Shtetit ka njoftuar ndryshimin e mënyrës së komunikimit me median dhe publikun, duke kufizuar komunikatat e përditshme të drejtorive vendore dhe duke kaluar në një model të ri informimi me konferenca mujore, statistika periodike dhe reagime vetëm për ngjarje me impakt të lartë publik.
Vendimi u prezantua nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, i cili deklaroi se modeli i ri synon një komunikim më të strukturuar dhe më të përgjegjshëm, sipas standardeve europiane.
Sipas tij, ndryshimi vjen edhe si përgjigje ndaj shqetësimeve të qytetarëve për ndikimin që krijon publikimi i vazhdueshëm i lajmeve kriminale dhe mënyra e raportimit të kronikës së zezë.
Me sistemin e ri, të dhënat statistikore mujore dhe vjetore mbi kriminalitetin do të publikohen në faqen zyrtare të policisë, ndërsa drejtuesit vendorë do të mbajnë konferenca mujore mbi situatën në qarqe. Për ngjarje të rëndësishme apo operacione policore, informacioni do të shpërndahet përmes kanaleve zyrtare dhe deklarimeve nga vendngjarja.
Vendimi ka sjellë reagime nga organizatat e medias. Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë ka shprehur shqetësimin se kufizimi i informacionit zyrtar mund të cenojë transparencën dhe raportimin e pavarur, duke kërkuar dialog me komunitetin e gazetarëve.
Ndërkohë, Unioni i Gazetarëve Shqiptarë e ka cilësuar vendimin si kufizues për informimin publik dhe ka paralajmëruar se centralizimi i komunikimit mund të krijojë vështirësi për raportimin në kohë të ngjarjeve.
“KORÇA BOOM”
















