top of page

Kush e ndihmoi të arratisej? Detaje të reja pas arrestimit të Sokrat Vatës

  • 3 hours ago
  • 1 min read

Pas rreth pesë orësh arrati, Policia ka arrestuar 29-vjeçarin Sokrat Vata, i dyshuar për vrasjen e 20-vjeçarit francez në Ksamil.


Vata është lokalizuar në aksin Levan–Fier, ku shërbimet e Policisë kishin ngritur një pikë kontrolli për kapjen e tij. Operacioni u zhvillua nga efektivët e Policisë së Vlorës, në bashkëpunim me shërbimet e forcës “Shqiponja” në Fier.


Sipas të dhënave të bëra publike nga Policia, 29-vjeçari po udhëtonte në një automjet me dy shtetas turq, një 31-vjeçare dhe një 38-vjeçar. Për t’iu shmangur kontrolleve, ai dyshohet se ishte fshehur në bagazhin e automjetit.


Një nga elementët që dyshohet se ndihmoi Policinë në lokalizimin e tij ishte gjurmimi i telefonit. Sinjali i pajisjes u ndoq deri në zonën e Fierit, ku më pas u bë e mundur kapja e 29-vjeçarit.


Nga hetimet paraprake dyshohet se konflikti ka nisur mes viktimës dhe të dyshuarit, ndërsa sipas burimeve, shkak i përplasjes mund të ketë qenë ngacmimi i një vajze që ndodhej me grupin.


Pas konfliktit, situata dyshohet se ka përshkallëzuar deri në përdorimin e armës, duke shkaktuar vdekjen e 20-vjeçarit francez dhe plagosjen e një tjetër shtetasi të huaj.

Sipas burimeve pranë hetimit, Vata punonte si bodyguard.


29-vjeçari dhe dy shtetasit turq janë shoqëruar në polici, ndërsa grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të dinamikës së ngjarjes, motivit të konfliktit dhe rolit të personave që dyshohet se e kanë ndihmuar të largohej nga Ksamili.


Vata konsiderohet i dyshuar për ngjarjen deri në përfundimin e hetimeve dhe vendimmarrjen e gjykatës.

“KORÇA BOOM”


bottom of page