Kush humb patentën në një shtet, s’e shpëton dot një tjetër, rregull i fortë i BE-së
- Korca Boom
- 13 hours ago
- 2 min read
Bashkimi Europian është drejt finalizimit të një reforme të rëndësishme që lidhet me lejet e drejtimit të automjeteve. Parlamenti Europian pritet të votojë sot për rregulloren e re, me shumicën e anëtarëve që pritet të japin votën pro. Ky është hapi i fundit përpara se rregullat të kalojnë për zbatim nga qeveritë e vendeve anëtare, të cilat do të kenë gjithsesi njëfarë autonomie në zbatimin kombëtar të tyre.
Synimi kryesor i kësaj reforme është krijimi i një standardi të përbashkët për lejet e drejtimit në të gjithë BE-në, duke vënë theksin te siguria rrugore. Çdo vit, rreth 20 mijë persona humbin jetën në aksidente rrugore në BE – një shifër alarmante që legjislacioni i ri synon ta ulë. Kështu u shpreh eurodeputeti italian Matteo Ricci, një nga figurat kyçe në negociatat me shtetet anëtare dhe Komisionin Europian. Ai theksoi se përmes këtyre ndryshimeve, zbatimi i gjobave do të bëhet më i drejtë dhe më uniform në të gjithë unionin.
Një nga pikat më të debatueshme të rregullores është njohja e pezullimeve të lejeve të drejtimit. Nëse një drejtues mjeti humb patentën në një vend të BE-së, ai nuk do të mund të vazhdojë të ngasë në një shtet tjetër anëtar. Të dhënat do të shkëmbehen në mënyrë efikase midis autoriteteve, për të garantuar që vendimet të respektohen në të gjithë territorin e Bashkimit Europian.
Pjesë e paketës së re ligjore është edhe futja e patentës digjitale. Leja e drejtimit do të jetë e aksesueshme nëpërmjet smartphone-it, një lehtësi e konsideruar veçanërisht e favorshme për të rinjtë që janë mësuar të kenë gjithçka në telefon. Deputetja e Parlamentit Europian, Jutta Paulus, e cilësoi këtë si një hap drejt modernizimit dhe afrimit me teknologjinë.
Një tjetër risi e rëndësishme është futja e një periudhe prove dyvjeçare për drejtuesit e rinj të automjeteve në mbarë BE-në, duke nisur që nga mosha 17 vjeç. Qëllimi është rritja e ndërgjegjësimit dhe ulja e riskut për aksidente te kjo grupmoshë.
Rregullorja e re pritet të sjellë ndryshime të ndjeshme në mënyrën se si menaxhohen lejet e drejtimit në Bashkimin Europian, duke forcuar sigurinë rrugore dhe duke i dhënë qytetarëve një mjet më të thjeshtë, modern dhe të drejtë për të lëvizur brenda unionit.
“KORÇA BOOM”
