top of page

Lajm i mirë për mësuesit: Pagat rriten, ja si do të ndikojë

  • 5 days ago
  • 2 min read

Pas vendimit për indeksimin e pagave me 2.5% për punonjësit e administratës publike, policinë dhe mjekët, përfitues të kësaj mase pritet të jenë edhe punonjësit e sistemit parauniversitar, përfshirë mësues, edukatorë të kopshteve, psikologë dhe oficerë të sigurisë.


Rritja prej 2.5% do të aplikohet mbi pagën bruto për çdo pozicion pune. Përveç indeksimit, për punonjësit e arsimit parauniversitar parashikohet edhe shtesa mbi pagën sipas vjetërsisë, siç zbatohet për kategoritë e tjera të administratës. Efektet e rritjes do të llogariten nga 1 janari 2026.


Rritja është parashikuar në projektvendimin:


“Për disa ndryshime në vendimin nr. 425, datë 26.6.2024, të Këshillit të Ministrave, për miratimin e strukturës dhe niveleve të pagave të punonjësve mësimorë dhe jo mësimorë në institucionet arsimore dhe institucionet plotësuese të sistemit arsimor parauniversitar,” propozuar nga Ministria e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin.


Sipas projektvendimit, indeksi 2.5% bazohet në ndryshimin e çmimeve të konsumit dhe do të realizohet për të gjithë punonjësit mësimorë dhe jo mësimorë të arsimit parauniversitar, njësoj si për funksionarët dhe nëpunësit civilë të administratës publike.


Për punonjësit aktualë me paga nga 58,000 deri në 74,000 lekë në muaj, përveç indeksimit 2.5%, parashikohet një rritje totale prej rreth 3,000 lekë në muaj, që përkthehet në rritje relative prej 4–5.17%.


Nga kjo masë përfitojnë rreth 36,390 punonjës:


  • 30,000 punonjës mësimorë, psikologë/punonjës social dhe oficerë sigurie, me një ndikim financiar rreth 114.5 mln lekë/muaj për pagat dhe sigurimet;


  • 1,500 punonjës të arsimit profesional, me një ndikim rreth 6 mln lekë/muaj;


  • 4,890 punonjës të arsimit parashkollor, qendrave kulturore dhe konvikteve, me një ndikim rreth 16.7 mln lekë/muaj.


Kjo rritje synon të përmirësojë të ardhurat e punonjësve të arsimit dhe të mbështesë incentivimin për përmirësimin e cilësisë së shërbimit arsimor.

"KORCA BOOM"


bottom of page