Lajm i trishtë për artin shqiptar, ndërron jetë piktori që la gjurmë me veprat e tij
Piktori i njohur Minella Saro është ndarë nga jeta në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, në moshën 92-vjeçare. Lajmi i trishtë është bërë i ditur nga familjarët dhe miqtë e artistit, i cili la gjurmë të rëndësishme në jetën artistike të Fierit.
Përmes penelit të tij, lirizmit dhe koloritit të veçantë, Minella Saro i dha artit shqiptar vepra që do të mbeten pjesë e kujtesës artistike. Krijimtaria e tij pasqyron ndjeshmërinë e artistit dhe lidhjen e veçantë me qytetin e tij, duke lënë një trashëgimi që do të vijojë të vlerësohet ndër breza.
Saro u diplomua në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë dhe ia kushtoi jetën pikturës dhe mësimdhënies. Në vitin 1970, së bashku me disa kolegë, ishte ndër themeluesit e Degës së Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve në Fier, si dhe i Degës së Arteve Figurative pranë Shkollës Artistike “Jakov Xoxa”.
Gjatë karrierës së tij artistike, ai realizoi dhjetëra kompozime, peizazhe dhe portrete. Ndër veprat e tij më të njohura përmenden “Mbledhja e taksave”, e cila mori pjesë në Bienalen e Kajros në vitin 1962, “Mbledhja e Poçemit”, “Shpallja e Pavarësisë”, “Njerëzit e ditëve tona” dhe “Vajzat dhe çadrat”.
Në krijimtarinë e Minella Saros spikatën lirizmi, koloritit dhe freskia e ngjyrave, elemente që i dhanë veprave të tij një identitet të veçantë artistik.
Punimet e piktorit ruhen dhe ekspozohen në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë, në Galerinë e Arteve Figurative “Vilson Kilica” në Fier, si dhe në galeri e koleksione private në Shqipëri, Francë dhe vende të tjera të botës.
Ndarja e tij nga jeta shënon humbjen e një figure të rëndësishme të artit fierak, ndërsa veprat dhe kontributi i tij do të mbeten pjesë e trashëgimisë kulturore shqiptare.
“KORÇA BOOM”
















