Lajmi i fundit/ Aksident i trefishtë në aksin Korçë–Bilisht, plagoset një efektiv policie
- 20 hours ago
- 1 min read
Një aksident i trefishtë është regjistruar në aksin rrugor Korçë–Bilisht, në afërsi të fshatit Belorta, ku tre mjete janë përplasur me njëra-tjetrën.
Si pasojë e përplasjes ka mbetur i plagosur një efektiv i policisë rrugore, i cili dyshohet se ka qenë në shërbim në momentin e aksidentit. Ai është transportuar menjëherë drejt spitalit të Korçë, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë dhe grupi hetimor, të cilët po punojnë për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e aksidentit, si dhe për të disiplinuar qarkullimin në këtë segment rrugor.
Ndërkohë, aksi Korçë–Bilisht vijon të mbetet problematik për drejtuesit e mjeteve. Në një pjesë të konsiderueshme të tij mungon sinjalistika rrugore dhe ndriçimi, ndërsa nuk janë të pakta segmentet e cilësuara si “njolla të zeza”, ku shpesh janë regjistruar aksidente, disa prej tyre edhe me pasoja të rënda për jetën.
Ky rast rikthen edhe një herë në vëmendje nevojën për ndërhyrje të menjëhershme në përmirësimin e sigurisë rrugore në këtë zonë.
“KORÇA BOOM”
















