Gjendet i pajetë në banesë pas një jave, skena e rëndë që gjeti policia me 6 qentë e tij!
Një ngjarje e rëndë është regjistruar në mbrëmjen e së dielës, më 22 nëntor, në zonën Galaneika të Lamias, në Greqi, ku një 58-vjeçar është gjetur i pajetë në banesën e tij.
Burri ishte kërkuar prej disa ditësh nga të afërmit, ndërsa sipas vlerësimeve paraprake, dyshohet se kishte ndërruar jetë rreth një javë më parë.
Situata që gjetën ekipet e ndërhyrjes ishte tejet e vështirë. 58-vjeçari jetonte së bashku me gjashtë qen, të cilët, pasi kishin mbetur për ditë të tëra pa ushqim, kishin kafshuar trupin e pajetë të pronarit, duke i shkaktuar dëmtime të rënda në fytyrë dhe qafë.
Prania e kafshëve e bëri të pamundur ndërhyrjen e menjëhershme të policisë dhe ekipeve të shpëtimit. Për nxjerrjen e trupit u organizua një operacion i posaçëm, ku morën pjesë një trajner qensh, veterinerë dhe shërbimet bashkiake.
Pas qetësimit të kafshëve, ato u larguan në mënyrë të sigurt dhe ekipet mundën të vijonin procedurat për nxjerrjen e trupit.
Sipas ekspertëve mjeko-ligjorë, raste të tilla, ndonëse të rralla, janë të dokumentuara dhe mund të ndodhin kur kafshët mbeten të mbyllura për një kohë të gjatë pa ushqim.
Megjithatë, dëmtimet e shkaktuara nga kafshët nuk nënkuptojnë se ato kanë qenë shkaku i vdekjes së 58-vjeçarit. Shkaku i saktë i ndarjes së tij nga jeta pritet të përcaktohet pas autopsisë mjeko-ligjore.
“KORÇA BOOM”
















