Lajm i mirë për shqiptarët! 4 ditë pushim radhazi në disa muaj, zbulohet kalendari i 2027-ës
Kalendari i festave zyrtare për vitin 2027 pritet të jetë më bujar për shqiptarët sa i përket ditëve të pushimit që transferohen nga fundjava. Për ata që dëshirojnë të organizojnë udhëtime apo disa ditë relaksi pa shfrytëzuar lejen vjetore, viti i ardhshëm rezervon disa mundësi të favorshme.
Sipas një krahasimi të kalendarëve zyrtarë të festave për vitet 2026 dhe 2027, të publikuar nga “Scan Intel”, gjatë vitit 2027 do të ketë nëntë ditë pushimi të transferuara nga fundjava, ndërsa gjatë vitit 2026 ishin tetë të tilla. Kjo nuk do të thotë se shtohen festat zyrtare, por se mënyra se si ato bien në kalendar krijon më shumë mundësi për fundjava të zgjatura.
Përpara se të mbyllet ky vit, shqiptarët kanë ende një tjetër periudhë të gjatë pushimi. Festat e Pavarësisë dhe Çlirimit, më 28 dhe 29 nëntor, bien në fundjavë dhe pushimi transferohet më 30 nëntor dhe 1 dhjetor. Kjo do të krijojë katër ditë pushim radhazi, nga e shtuna deri të martën.
Ndërkohë, dhjetori i këtij viti sjell edhe Ditën e Rinisë, më 8 dhjetor, si dhe Krishtlindjet, më 25 dhjetor, të cilat bien të premten.
2027-a nis me katër ditë pushimi
Viti i ri do të nisë me një kombinim të favorshëm për qytetarët. 1 janari bie të premten, ndërsa festa e 2 janarit transferohet të hënën, më 4 janar. Në këtë mënyrë krijohet një periudhë katërditore pushimi, nga 1 deri më 4 janar.
Marsi do të jetë një nga muajt më të favorshëm të vitit. Dita e Verës, Nevruzi dhe Pashkët Katolike do të krijojnë tri fundjava radhazi me nga tri ditë pushimi. Konkretisht, datat 13-15 mars, 20-22 mars dhe 27-29 mars do të ofrojnë mundësi për pushime të shkurtra.
Një tjetër festë e rëndësishme, Bajrami i Madh, parashikohet më 9 mars, ditë e martë.
Maji sjell një tjetër fundjavë katërditore
Edhe muaji maj do të ketë një kombinim interesant festash. Dita e Punonjësve, më 1 maj, dhe Pashkët Ortodokse, më 2 maj, bien në fundjavë. Për këtë arsye, ditët e pushimit transferohen më 3 dhe 4 maj, duke krijuar një periudhë katërditore pushimi.
Ndërkohë, Kurban Bajrami, i parashikuar më 16 maj, do të sjellë një ditë tjetër pushimi të hënën, më 17 maj.
Edhe fundi i vitit rezervon pushime të gjata
Mundësitë për të përfituar ditë të lira nuk përfundojnë me muajt e pranverës. Edhe fundi i vitit 2027 do të ketë disa kombinime të favorshme.
Dita e Alfabetit, më 22 nëntor, bie të hënën, ndërsa festat e Pavarësisë dhe Çlirimit do të krijojnë një tjetër periudhë katërditore pushimi, nga 27 deri më 30 nëntor.
Në dhjetor, Krishtlindjet, që bien të shtunën, do të transferojnë pushimin të hënën, më 27 dhjetor.
Përveç mundësive që krijohen për qytetarët për të organizuar udhëtime dhe pushime më të gjata, këto fundjava mund të kenë ndikim edhe në sektorin e turizmit, hotelerisë dhe shërbimeve, duke nxitur lëvizjet dhe konsumin e brendshëm.
Kështu, viti 2027 pritet të ofrojë disa mundësi për mini-pushime gjatë gjithë vitit, ndërsa qytetarët do të kenë mundësinë të planifikojnë më herët ditët e tyre të lira, pa qenë nevoja të shfrytëzojnë shumë ditë nga leja vjetore.
“KORÇA BOOM”
















