Gjoba do t'ju vijë direkt në telefon! Rama zbulon ndryshimin e madh që prek të gjithë shqiptarët
Nuk do të ketë më surpriza në momentin kur zbuloni se keni një gjobë të papaguar! Qoftë për shkelje rrugore apo për kundërvajtje të tjera, çdo ndëshkim do të mbërrijë direkt në telefonin tuaj. Madje, do të mësoni edhe cili institucion ju ka gjobitur, për çfarë arsyeje dhe si mund ta kundërshtoni vendimin. Një sistem i ri pritet të ndryshojë mënyrën se si qytetarët përballen me gjobat në Shqipëri.
Bëhet fjalë për sistemin e ri digjital e-Gjoba, i prezantuar këtë të martë nga kryeministri Edi Rama. Nisma synon të rrisë transparencën dhe të lehtësojë komunikimin mes qytetarëve, bizneseve dhe institucioneve shtetërore.
Gjatë prezantimit, Rama shpjegoi se njoftimi do të bëhet përmes platformës e-Albania, ndërsa qytetarët do të marrin automatikisht edhe një mesazh në telefon.
“Njoftimin e menjëhershëm të qytetarit përmes platformës e-Albania, e cila njëkohësisht çon në mënyrë automatike një mesazh në telefonin e qytetarit. Nga ana tjetër, të gjitha gjobat mblidhen në një bazë të dhënash”, deklaroi kryeministri.
Një tjetër risi e këtij sistemi është se do të bëhet i mundur identifikimi i çdo punonjësi që vendos një gjobë. Në këtë mënyrë, drejtuesit e institucioneve do të kenë mundësi të monitorojnë procesin dhe të kontrollojnë mënyrën se si punonjësit ushtrojnë detyrën e tyre.
Rama njoftoi gjithashtu se në një fazë të ardhshme, inspektorët dhe punonjësit e policisë që veprojnë në terren do të pajisen me kamera, për të qenë nën monitorim të vazhdueshëm.
Sipas tij, kjo do të mundësojë ndjekjen në kohë reale të aktivitetit të çdo inspektori dhe punonjësi policie, duke krijuar më shumë transparencë në marrëdhënien me qytetarët.
Ndërkohë, një tjetër ndryshim që pritet të vihet në zbatim është edhe pagesa online e gjobave, pa pasur nevojë për dokumente dhe procedura fizike.
Ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, e cilësoi këtë nismë si një hap të rëndësishëm drejt rritjes së transparencës, konkurrencës dhe përmirësimit të klimës së biznesit.
Sistemi i ri synon të vendosë rregulla më të qarta në procesin e vendosjes së gjobave, duke u dhënë qytetarëve mundësinë të informohen menjëherë dhe të ndjekin të gjitha procedurat në mënyrë digjitale.
“KORÇA BOOM”
















