top of page

Veliaj thyen heshtjen nga burgu, kërkon ndërhyrjen e gjykatës: Nuk duhet të vendosë askush kush më fut në narkozë

3 minutes ago
3 min read

Seanca gjyqësore ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, është shoqëruar me debate në Gjykatën e Posaçme (GJKKO), pasi ai nuk është paraqitur në sallën e gjyqit për shkak të gjendjes së tij shëndetësore.

Përmes avokatit të tij, Plarent Ndreca, Veliaj i ka përcjellë gjykatës një deklaratë nga Institucioni i Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP), ku shpjegon arsyet e mungesës dhe kërkon ndërhyrjen e gjykatës për trajtimin e tij shëndetësor.


Në deklaratën e lexuar gjatë seancës, kryebashkiaku shprehet se dëshiron të marrë pjesë në procesin gjyqësor, por nuk mundet për shkak të këmbës së thyer. Ai bëri me dije se mbrojtja do t'u vërë në dispozicion gjyqtarëve dokumentacionin shëndetësor, ndërsa kërkoi që ndërhyrja kirurgjikale të kryhet nga një mjek në spitalin e zgjedhur nga familja e tij.


“Megjithë vullnetin tim për të marrë pjesë në seancë gjyqësore, e kam të pamundur për shkak të këmbës së thyer. Në vijim të shkresës suaj dhe të prokurorisë, mbrojtja ime do ju vërë në dispozicion disa shkresa shëndetësore. Jam i ndërgjegjshëm kush më transferoi dhe kush do të vendosë për shëndetin tim. Nuk kërkoj as botox as mbjellje flokësh as të zbardh dhëmbët, por të operohem nga një mjek në spitalin që zgjedh familja ime. Nuk duhet të vendosë askush kush më fut në narkozë. Ndaj kërkoj nga GJKKO të ndërhyjë dhe të marrë një vendim”, thuhet në deklaratën e Veliajt.


Nga ana tjetër, avokati Plarent Ndreca kundërshtoi vijimin e seancës, duke argumentuar se nuk mund ta ushtrojë siç duhet mbrojtjen pa u konsultuar me klientin e tij. Ai pretendoi se një ditë më parë kishte tentuar ta takonte Veliajn, por nuk ishte lejuar nga IEVP Fier.

“Nuk jemi në kushtet për të vijuar seancën pasi Veliaj ka shprehur vullnetin për të marrë pjesë në seancë. Tentova dje ta takoja dhe nuk jam lejuar nga IEVP Fier. Kam kërkuar shpjegime dhe nuk më janë dhënë. Jam i pamundur ta vazhdoj mbrojtjen pa u konsultuar me klientin. Janë disa elementë që duhet t’i konfirmoj me klientin. Ne e kemi bërë të qartë të gjithë kronologjinë e situatës shëndetësore të Veliajt. Kemi kërkuar nga ju të vendosni për këtë histori çnjerëzore”, deklaroi Ndreca.


Gjatë seancës, gjyqtarët kërkuan sqarime nëse Veliaj e kishte të pamundur të lëvizte. Në përgjigje, avokati deklaroi se klienti i tij ka këmbën e thyer dhe lëviz gjatë gjithë kohës me paterica.

Ndërkohë, prokurori Ols Dado kërkoi vijimin e seancës, duke argumentuar se nuk ishte provuar pamundësia e Veliajt për të qenë i pranishëm në gjykim.

“Duhet të vijojë seanca, nuk provohet që e ka të pamundur të marrë pjesë në seancë gjyqësore”, u shpreh ai.


Edhe Altin Dumani kundërshtoi argumentet për shtyrjen e procesit, duke theksuar se Veliaj nuk e kishte kushtëzuar vijimin e seancës në deklaratën e tij dhe se mbrojtjes i ishte dhënë kohë e mjaftueshme për t'u konsultuar me të.

“Në letër, Veliaj nuk e kushtëzon vijimin e seancës. Herën e fundit për këtë u shty seanca që mbrojtja të konsultohej me të. Një javë ishte e mjaftueshme që avokati të konsultohej. Nuk më duket situatë serioze, as ligjore. E kemi dërguar çështjen që në shtator 2025, akoma jemi... Shtyrjet janë bërë për shkaqe të të pandehurve apo mbrojtjes. Asnjëherë nuk është bërë shkak SPAK. Ne jemi këtu që të gjykohet çështja”, deklaroi Dumani.


Debati në GJKKO u përqendrua kështu te gjendja shëndetësore e kryebashkiakut, kërkesa e tij për trajtim mjekësor në një spital të zgjedhur nga familja dhe vijimi i procesit gjyqësor në mungesë të tij.

“KORÇA BOOM”


bottom of page