top of page

Emrat kanë nisur të qarkullojnë në PS, mësoni kush pritet të garojë në zgjedhjet e 9 majit

26 minutes ago
1 min read

Edhe pse kanë mbetur rreth 6 muaj nga zgjedhjet lokale të 9 majit, partitë politike ende nuk kanë zyrtarizuar kandidatët që do të garojnë për drejtimin e bashkive. Megjithatë, në kampin socialist kanë nisur diskutimet dhe lëvizjet për përzgjedhjen e emrave që do të përfaqësojnë Partinë Socialiste në këtë garë.


Pas mbledhjes së Asamblesë Kombëtare dhe Asamblesë së Tiranës, brenda forumeve socialiste kanë nisur të qarkullojnë disa emra si kandidatura të mundshme. Vëmendja më e madhe është përqendruar te gara për kryeqytetin, ku deri më tani përfliten tre figura politike: ministri i Brendshëm Ervin Demo, zv.kryeministrja Albana Kociu dhe drejtuesja politike e Tiranës, Ogerta Manastirliu.


Ndërkohë, edhe për bashkitë e tjera kanë nisur të diskutohen emrat e mundshëm. Në Kamëz pritet rikandidimi i Rakip Sulit, ndërsa në Vorë ai i Blerim Sherës. Për Kavajën, emri që përflitet brenda kampit socialist është drejtori i spitalit, Arben Rugia.


Një tjetër kandidaturë që po diskutohet është ajo e ministrit të Bujqësisë, Andis Salla, i cili pritet të jetë emri i mazhorancës për drejtimin e bashkisë së Elbasanit, e cila me hartën e re territoriale do të përfshijë edhe Belshin dhe Cërrikun.


Edhe në Durrës, një prej bashkive me peshë të rëndësishme elektorale, ka nisur të qarkullojë emri i deputetit Ani Dyrmishi si një kandidat i mundshëm i Partisë Socialiste.


Megjithatë, këto kandidatura mbeten ende në fazën e diskutimeve dhe nuk ka një konfirmim zyrtar. Vendimi përfundimtar për 46 emrat që do të garojnë për kryetarë bashkish pritet të merret nga kryeministri Edi Rama dhe strukturat drejtuese të Partisë Socialiste.

“KORÇA BOOM”


bottom of page