top of page

Përgatituni për ndryshime! Sigurimi i makinave mund të kushtojë më shumë, ja çfarë pritet

4 minutes ago
2 min read

Ndryshime të rëndësishme priten në skemën e sigurimit të detyrueshëm të automjeteve TPL. Projektligji i ri parashikon zgjerimin e kategorive që përfitojnë dëmshpërblim në rast aksidenti, por kjo mund të sjellë edhe një rritje të çmimit të sigurimit për drejtuesit e automjeteve.


Një nga risitë kryesore është përfshirja në skemën e kompensimit edhe e pasagjerëve që ndodhen në automjetin që shkakton aksidentin. Deri më tani, këta pasagjerë nuk përfshiheshin në të njëjtën mënyrë në mbulimin e sigurimit të detyrueshëm.

Eksperti i Tregjeve Financiare, Artur Ribaj, shpjegon se projektligji synon të zgjerojë ndjeshëm numrin e personave dhe subjekteve që mund të përfitojnë dëmshpërblim. Përveç pasagjerëve, në skemë do të përfshihen edhe palë të tjera që mund të pësojnë dëme gjatë një aksidenti, si për shembull pronarët e dyqaneve apo objekteve të dëmtuara.


Por zgjerimi i mbulimit mund të reflektohet edhe në çmimin e policës së sigurimit. Sipas Ribajt, nëse aktualisht sigurimi i një automjeti në Shqipëri kushton mesatarisht rreth 220 euro në vit, në të ardhmen çmimi mund të afrohet gradualisht me mesataren e Bashkimit Europian, që sipas tij shkon në rreth 400 euro.


Megjithatë, kjo rritje nuk pritet të ndodhë menjëherë, por do të varet nga zbatimi i ndryshimeve dhe zhvillimet e ardhshme. Eksperti thekson gjithashtu se çmimi i sigurimit duhet të marrë parasysh edhe sjelljen e drejtuesit të automjetit dhe karakteristikat e makinës.


Projektligji parashikon edhe lehtësime në procedurat e dëmshpërblimit. Pragu për procedurën e përshpejtuar rritet nga 100 mijë në 250 mijë lekë, ndërsa kufiri i dëmeve që mund të trajtohen përmes Raportit Evropian të Aksidentit shkon nga 30 mijë në 50 mijë lekë.

Ndryshime të tjera lidhen me fuqizimin e rolit të Byrosë Shqiptare të Sigurimit, e cila parashikohet të funksionojë si një entitet juridik i pavarur, nën mbikëqyrjen e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare. Ajo do të ketë përgjegjësi në administrimin e Fondit të Kompensimit dhe garantimin e pagesave për dëmet e shkaktuara nga automjetet e pasiguruara, rastet kur drejtuesit largohen nga vendi i aksidentit, si dhe në situatat e falimentimit të kompanive të sigurimit.


Një tjetër përfitim i parashikuar në kuadër të përafrimit me standardet europiane lidhet me mundësinë që në të ardhmen sigurimi të ofrojë mbulim edhe gjatë udhëtimeve në vendet e Bashkimit Europian, pa pasur nevojë për Kartonin Jeshil. Ky ndryshim, sipas ekspertit, lidhet me procesin e anëtarësimit në BE.


Në thelb, ndryshimet synojnë të rrisin mbrojtjen e qytetarëve dhe të përshpejtojnë marrjen e dëmshpërblimit pas aksidenteve. Megjithatë, për drejtuesit e automjeteve, pyetja kryesore mbetet se sa do të kushtojë sigurimi TPL pas hyrjes në fuqi të rregullave të reja.

“KORÇA BOOM”


bottom of page