top of page

Lajmi i fundit/ Universiteti nuk mund të drejtohet me imponim”, dorëhiqet rektori

  • 6 hours ago
  • 2 min read

Një zhvillim i papritur ka tronditur Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, pasi rektori Tonin Gjuraj ka paraqitur dorëheqjen e parevokueshme nga detyra, duke artikuluar akuza të forta ndaj Bordit të Administrimit.


Në letrën drejtuar ministres së Arsimit, Gjuraj shprehet se vendimi i tij vjen pas një sërë përplasjesh institucionale, të cilat sipas tij kanë cenuar autonominë universitare dhe kanë penguar procesin e transformimit që kishte nisur në universitet.


Ai thekson se mandati i rektorit buron nga komuniteti akademik dhe se ushtrimi i këtij funksioni duhet të mbështetet mbi transparencën, përgjegjësinë publike dhe respektin ndaj autonomisë së institucioneve të arsimit të lartë.


Sipas Gjurajt, qëllimi i kandidimit të tij nuk ishte një etapë personale në karrierë, por një përpjekje për të sjellë ndryshime reale në Universitetin e Shkodrës, me fokus cilësinë akademike, zhvillimin institucional dhe rritjen e transparencës.


Në letrën e dorëheqjes, ai kundërshton hapur vendimin e Bordit të Administrimit për emërimin e administratorit të universitetit, duke e cilësuar atë të paligjshëm. Po ashtu, ai kritikon vendimin për shtyrjen e moshës së daljes në pension për administratorin, duke e konsideruar diskriminues dhe të pambështetur në ligj.


Një tjetër pikë e fortë e akuzave lidhet me procedurat e rekrutimit të stafit administrativ. Gjuraj bën të ditur se një raport i grupit të punës të ngritur nga Ministria e Arsimit ka konstatuar se shpallja për punësim e miratuar nga Bordi i Administrimit është e pavlefshme dhe në kundërshtim me ligjin për arsimin e lartë.


Ai akuzon gjithashtu Bordin për shkelje të tjera ligjore, duke përmendur pagesa honorarësh për projekte në mënyrë preferenciale dhe pa vendimmarrje të rregullt institucionale.


“Unë kam autoritetin dhe të drejtën, por jo forcën për të kundërshtuar më tej Bordin e Administrimit, ndërsa ata kanë forcën, por jo autoritetin dhe të drejtën për t’u imponuar”, shprehet Gjuraj në letrën e tij.


Në përfundim, ai kërkon që të zbatohen procedurat ligjore për garantimin e funksionimit normal të universitetit pas largimit të tij, ndërsa shpreh mirënjohjen dhe ndjesën ndaj studentëve, stafit akademik dhe qytetarëve të Shkodrës që mbështetën vizionin e tij për transformimin e institucionit.

“KORÇA BOOM”


bottom of page