top of page

Lamtumirë futbollit në moshën 31-vjeçare, Dario Kame “var këpucët në gozhdë”

  • 44 minutes ago
  • 1 min read

Dario Kame ka marrë vendimin për t’i dhënë fund futbollit të luajtur në moshën 31-vjeçare, duke mbyllur një karrierë gati dydekadëshe të lidhur ngushtë me futbollin korçar dhe atë shqiptar.


Futbollisti korçar ka zhvilluar ndeshjet e tij të fundit me Maliqin, klub me të cilin ka mbyllur edhe kapitullin e tij si futbollist. Pas shumë vitesh në fushën e blertë, Kame ka vendosur të nisë një etapë të re, duke iu përkushtuar biznesit privat.


Rrugëtimi i tij në futboll ka nisur shumë herët. Në moshën 13-vjeçare, Dario Kame u bashkua me ekipet e moshave të Skënderbeut, ku hodhi hapat e parë dhe u formua si futbollist.


Gjatë karrierës së tij ai ka veshur fanellat e disa skuadrave shqiptare, mes tyre Maliqi, Bilishti, Skënderbeu, Pogradeci dhe Besa e Kavajës.

Eksperienca nuk i ka munguar as jashtë Shqipërisë. Kame ka luajtur për gjashtë muaj në Grevena të Greqisë, ndërsa ka qenë pjesë edhe e ekipit të Kosturit, duke pasuruar eksperiencën e tij në futboll.


Karriera e tij është shoqëruar edhe me suksese dhe trofe. Kame është shpallur kampion me Bilishtin, ka fituar titullin me Maliqin në Kategorinë e Dytë dhe është shpallur kampion edhe me Skënderbeun.


Tashmë, pas viteve të kaluara në fushën e blertë, fanellave të ndryshme dhe momenteve të rëndësishme sportive, Dario Kame ka vendosur të “varë këpucët në gozhdë”.


Një kapitull i rëndësishëm mbyllet për 31-vjeçarin, por eksperienca dhe kujtimet e krijuara gjatë viteve në futboll do të mbeten pjesë e rrugëtimit të tij sportiv. Nga tani, Kame do ta vijojë rrugën e tij në një tjetër drejtim, atë të biznesit privat.

“KORÇA BOOM”


bottom of page