top of page

Lamtumirë legjendë e Skënderbeut/ Shuhet Thoma Spaho

  • May 3
  • 1 min read

Një lajm i trishtë ka mbërritur për sportin korçar dhe më gjerë. Është ndarë nga jeta mjeshtri i volejbollit, “Mjeshtër i Madh”, Thoma Spaho, i njohur me përkëdheli nga të gjithë si Muqi.


Humbja e tij përbën një goditje të rëndë për komunitetin sportiv në Korçë, ku ai kontribuoi për dekada me radhë në zhvillimin dhe përhapjen e volejbollit. Me përkushtim, pasion dhe disiplinë, Thoma Spaho u bë një figurë kyçe në formimin e brezave të tërë sportistësh, duke u kthyer në një emër të respektuar dhe të dashur për të gjithë.


Gjatë karrierës së tij, ai jo vetëm që dha kontribut në rritjen e nivelit të lojës së volejbollit, por edhe në edukimin sportiv dhe njerëzor të të rinjve. Shumë prej lojtarëve që kaluan në duart e tij arritën suksese të rëndësishme, duke e bërë atë një nga trajnerët më të spikatur të “lojës së rrjetës”.


Puna dhe përkushtimi i tij nuk u kufizuan vetëm në rezultate sportive, por edhe në ndërtimin e karakterit dhe frymës së ekipit, duke lënë pas një trashëgimi të vyer që do të vazhdojë të jetojë përmes brezave.


Sot, sporti korçar humbet një prej figurave të tij më të rëndësishme, ndërsa kujtimi dhe kontributi i Thoma Spaho do të mbeten të paharruara.


Stafi i portalit "KORÇA BOOM" i shpreh ngushëllimet e sinqerta familjes.


U prehsh në paqe Mjeshtër!

“KORÇA BOOM”


bottom of page