Letonia me mungesa të mëdha, por trajneri i saj kërkon zgjidhje dhe jo justifikime
- Korca Boom
- 11 hours ago
- 2 min read
Trajneri i Letonisë, Paolo Nikolato, është shfaqur me optimizëm para mediave në prag të sfidës kundër Shqipërisë. Ai vlerësoi kuqezinjtë, por theksoi se skuadra e tij është e fokusuar kryesisht tek mënyra se si do të zhvillojë lojën e vet, duke mos u ndalur shumë te kundërshtarët.
“Ndeshja ndaj Serbisë dhe ajo ndaj Shqipërisë janë dy takime krejtësisht të ndryshme. Prioriteti ynë kryesor është rikuperimi i lojtarëve, pasi shpenzuam shumë energji në përballjen e kaluar. Më pëlqeu ajo që pamë ndaj Serbisë, ishte një pjesë loje e shkëlqyer dhe mendoj se jemi në rrugën e duhur. Jam i bindur se mund të bëjmë një paraqitje të mirë edhe ndaj Shqipërisë”, u shpreh Nikolato.
Tekniku i Letonisë foli edhe për mungesat e skuadrës, duke i parë si sfida që duhen kapërcyer: “Jemi të lumtur për Janis Ikaunieks dhe familjen e tij, por na mungojnë disa lojtarë të rëndësishëm si ai, Kristers dhe Uldriķis. Megjithatë, kjo nuk është një arsye për të parë problemet, por për të gjetur zgjidhjet. Duhet të mbetemi pozitivë.”
Ai shtoi se ekipi i tij është i përqendruar tek përmirësimi i lojës, sidomos në aspektin ofensiv: “Kontrolli i topit nga ana jonë është i mirë, por duhet të rritemi më shumë në fazën sulmuese. Aty vendoset edhe fati i ndeshjeve, prandaj është më e vështirë të bësh progres. Por ne jemi duke punuar dhe do të vazhdojmë në këtë drejtim.”
Sa i përket Shqipërisë dhe ndryshimeve të mundshme që do të sjellë Silvinjo, Nikolato tregoi se është i gatshëm të përshtatet: “Ky është futbolli modern. Është e rëndësishme të përshtatesh gjatë ndeshjes. Silvinjo është një trajner i mirë, ka eksperiencë dhe ka punuar në Itali. Për mua ndeshja e Shqipërisë me Gjibraltarin nuk ofron informacion real, ndaj ne po fokusohemi vetëm tek loja jonë dhe tek ajo që duhet të bëjmë në fushë.”
“KORÇA BOOM”
