"Lumë dr*ge" në shtëpinë e Lulzim Cakës, policia greke sekuestron edhe 26 kg k*kainë
Droga u zbulua në një ndërtesë në ndërtim dhe në një hapësirë të fshehtë nëntokësore. Autoritetet greke e lidhin sasinë e re me rrjetin kriminal të goditur më 9 shtator.
Një tjetër sasi e konsiderueshme kokaine, e lidhur me rrjetin kriminal të goditur më 9 shtator në Maratonë të Greqisë, është zbuluar nga hetuesit e njësisë DEOS të Autoritetit të Pavarur të të Ardhurave Publike të Greqisë (AADE).
Sipas "Protothema", operacioni u zhvillua pas informacioneve të siguruara nga Administrata Amerikane për Zbatimin e Ligjit kundër Drogës (DEA). Të dhënat tregonin se një sasi kokaine mund të ishte fshehur në një hapësirë magazinimi pranë banesës ku autoritetet kishin sekuestruar më herët një sasi të madhe droge.
Hetuesit kontrolluan ambientet përreth, magazinat dhe ndërtesat në ndërtim. Gjatë kontrolleve zbuluan 26,8 kilogramë kokainë në një objekt në ndërtim pranë banesës së kontrolluar më parë. Prona i përket të njëjtit person që ia kishte dhënë me qira banesën organizatës kriminale.

Sipas hetimeve, sasia e re dyshohet se është pjesë e një ngarkese të mëparshme të trafikuar nga Kolumbia. Rrjeti përdorte të njëjtën metodë për fshehjen e drogës, kokaina futej mes buqetave dhe luleve.
AADE njoftoi më 10 shtator sekuestrimin e 84 kilogramëve kokainë, të fshehur në ngarkesa me trëndafila.
Sasia e zbuluar së fundmi ishte paketuar në blloqe dhe, sipas autoriteteve, ishte gati për shpërndarje. Paketimet mbanin të njëjtën shenjë dalluese me pajisjet dhe presat e sekuestruara më 9 shtator në zotërim të anëtarëve të dyshuar të organizatës.

AADE thekson se kjo shenjë përbën një element që lidh drejtpërdrejt sasinë e re të kokainës me të njëjtin rrjet kriminal.
Gjatë kontrollit, autoritetet gjetën gjithashtu një thikë gjuetie dhe mbijetese me teh 21 centimetra, si dhe fishekë të kalibrave të ndryshëm.
Droga dhe sendet e tjera ishin fshehur në vende të posaçme brenda pronës. Hetuesit zbuluan një rezervuar të madh nëntokësor uji dhe një hapësirë të fshehtë nëntokësore të ngjashme me tunel, ku ishin vendosur me kujdes materialet e sekuestruara.
Autoritetet kanë hapur procedim penal ndaj pronarit të ndërtesës në ndërtim. Sipas të dhënave të publikuara, ai jeton jashtë Greqisë dhe është shpallur në kërkim.
Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht veprimtarinë e rrjetit dhe për të identifikuar të gjithë personat e përfshirë.

“KORÇA BOOM”















