top of page

MALIQ/ Humbi jetën aksidentalisht apo u vra? Misteri për vdekjen e 58-vjeçarit, dëshmitë e familjarëve

  • Writer: Korca Boom
    Korca Boom
  • 1 day ago
  • 2 min read

Jorgo Ajredini, 58 vjeç, nga fshati Rëmbec i Maliqit, humbi jetën në QSUT pas 15 ditësh që qëndroi në gjendje kome. Viktima u dërgua në spitalin rajonal të Korçës në 13 gusht me plagë në pjesën e kokës dhe për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore ai u transportua drejt Tiranës për ndihmë më të specializuar. Por 58-vjeçari nuk arriti të dilte nga koma.


Policia e Korçës e referoi ngjarjen si aksidentale, duke dyshuar se 58-vjeçari ishte goditur nga kali.


Por familjarët hedhin poshtë këtë version dhe ngulin këmbë se kemi të bëjmë me një ngjarje kriminale. Ata thonë se Ajredini u gjet pranë fushës së sportit të fshatit, i hedhur në një kanal, me plagë të shumta në kokë,në ballë, pas veshëve dhe në nofull.


Dyshimet e tyre shtohen edhe nga dëshmia që i ndjeri dha para se të humbiste ndjenjat. Agustin Ajredini, vëllai i viktimës, rrëfen se i plagosuri i ka thënë se nuk e kishte goditur kali, por “një person i shkurtër nga Pogradeci”.


Ky ka qenë komunikimi i fundit i tij me familjarët, përpara se të binte në gjendje kome.

Edhe vëllai tjetër, Ilia Ajredini, pretendon se dëmtimet e shumta nuk përkojnë me një goditje kali, por me plagë të shkaktuara nga mjete të forta. Ai kujton gjithashtu një konflikt të vjetër të viktimës me një banor të fshatit, për motive familjare.


Në të njëjtën linjë është edhe dëshmia e dajës së viktimës, Kostaq Kosturi, i cili pohon se mjeku në QSUT përjashtoi mundësinë e një aksidenti me kafshë, duke theksuar se plagët ishin shkaktuar nga goditje me sende të forta. Pas vdekjes së 58-vjeçarit, policia dhe prokuroria e Korçës kanë rihapur hetimet.


Deri më tani janë shoqëruar rreth 15 persona, mes tyre familjarë dhe banorë të Rëmbecit, ndërsa janë sekuestruar edhe kamerat e sigurisë të zonës, të cilat po analizohen nga prokuroria.


Hetuesit janë në pritje të raportit përfundimtar mjeko-ligjor, i cili pritet të përcaktojë nëse bëhet fjalë për një aksident tragjik apo një ngjarje kriminale.

“KORÇA BOOM”

ree

bottom of page