Maliqi nën ujë, mbi 500 mijë euro dëme/ Fermerët ende presin dëmshpërblimin
Përmbytjet e shkaktuara nga reshjet intensive në fushën e Maliqit, gjatë dhjetorit të vitit të kaluar dhe janarit të këtij viti, kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në tokat bujqësore.
Fermerëve iu premtua evidentimi i dëmeve dhe dëmshpërblimi për humbjet e shkaktuara, por më shumë se shtatë muaj pas përmbytjeve, ata thonë se ende nuk kanë marrë asnjë pagesë.
Një prej rasteve të raportuara është ai i parcelave të mbjella me bimë medicinale dhe aromatike, ku dëmet, sipas fermerëve, janë të konsiderueshme.
Marjana Ibi, agronome pranë një kompanie që merret me kultivimin e bimëve medicinale, thotë se përmbytjet kanë dëmtuar më shumë se 80 hektarë tokë, ndërsa vlera e humbjeve llogaritet në mbi 500 mijë euro.
Sipas saj, dëmet janë verifikuar nga institucionet përkatëse, por deri më tani nuk është dhënë dëmshpërblimi.
“Në vitin 2025 dhe janar 2026 patëm përmbytje të madhe nga shirat e tepërta. Dëmet ishin të konsiderueshme, mbi 80 hektarë tokë, një dëm rreth 500 mijë euro. Parcelat tona ishin të mbjella me shumë bimë medicinale aromatike. Kanë ardhur, kanë verifikuar. Ne shpërblim nuk kemi marrë nga dëmet që janë shkaktuar. Bimët ishin në vitin e 2-3, ku prodhimi merret maksimal”, u shpreh Marjana Ibi.
Fermerët kërkojnë që procesi i dëmshpërblimit të përfundojë sa më shpejt, pasi humbjet e shkaktuara nga përmbytjet kanë ndikuar drejtpërdrejt në aktivitetin e tyre bujqësor.
“KORÇA BOOM”
















