“Sinjale nga Uashingtoni”/ Zeka ngre pikëpyetje për takimet e Vlora Hysenit në Baku
Rrethanat që shoqëruan vendosjen e masës së sigurisë ndaj ish-drejtoreshës së Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni, kanë sjellë edhe pretendime lidhur me aktivitetin e saj jashtë Shqipërisë.
Gazetari Milaim Zeka, i ftuar në emisionin “Shqipëria Live”, ka ngritur pikëpyetje mbi disa takime që, sipas tij, Hyseni ka zhvilluar me përfaqësues të shërbimeve informative të huaja.
Zeka u ndal veçanërisht te një vizitë të Hysenit në Baku, në Azerbajxhan, ku sipas tij ajo ndodhej në periudhën kur ndaj saj u caktua masa “Arrest në shtëpi”. Sipas gazetarit, gjatë kësaj vizite Hyseni kishte zhvilluar takime me drejtues dhe përfaqësues të shërbimeve informative të vendeve të ndryshme.
Në deklaratën e tij, Zeka pretendoi se pikërisht këto kontakte mund të kenë qenë pjesë e zhvillimeve që paraprinë masën e sigurisë ndaj ish-drejtoreshës së SHISH.
“Arsyeja se pse u arrestua kaq shpejt është pikërisht se erdhën sinjale dhe presion nga Uashingtoni për takimet e Vlora Hysenit që kishte në Baku me shërbimet rus dhe serb”, deklaroi Zeka.
Gazetari pretendoi gjithashtu se takimet e Hysenit nuk ishin zhvilluar vetëm në Azerbajxhan. Sipas tij, kontakte të ngjashme me të njëjtët persona kanë ndodhur edhe gjatë vizitave në Emiratet e Bashkuara Arabe, Hungari dhe Turqi.
Deri më tani, këto deklarata përbëjnë pretendime të bëra publikisht nga gazetari Milaim Zeka. Ato nuk përbëjnë në vetvete konfirmim zyrtar mbi natyrën e takimeve apo mbi ndonjë lidhje të tyre me procedimin ndaj Vlora Hysenit.
Ndërkohë, ndaj Hysenit është caktuar masa “Arrest në shtëpi” dhe ajo është pezulluar nga detyra, ndërsa procedurat gjyqësore vijojnë.
“KORÇA BOOM”
















