Maskuar me kapuç, hynë në banesë dhe u arratisën. Bien në pranga dy autorët e dyshuar
- 2 hours ago
- 1 min read
Dy persona janë arrestuar nga Policia e Tiranës, të dyshuar si autorë të një vjedhjeje të ndodhur në orët e para të mëngjesit të 8 majit, në zonën e Laprakës.
Sipas autoriteteve, të arrestuarit janë identifikuar si Denis Shkalla dhe Martin Dado, të cilët dyshohet se kanë bashkëpunuar me njëri-tjetrin për të kryer vjedhjen në banesën e shtetasit Rigers Vrapi, në rrugën “Pandi Dardha”.
Hetimet paraprake kanë zbuluar se autorët dyshohet se kanë qenë të maskuar me kapuç dhe maska dhe kanë hyrë në pallatin ku ndodhej apartamenti i synuar. Pasi kanë realizuar vjedhjen, ata janë larguar me shpejtësi nga vendngjarja, duke përdorur edhe automjetin e tyre për t’u arratisur.
Policia po vijon hetimet për të dokumentuar plotësisht ngjarjen dhe për të verifikuar nëse të arrestuarit janë të përfshirë edhe në ngjarje të tjera të ngjashme në zonë.
“KORÇA BOOM”
















