top of page

Mbrëmje letrare kushtuar Sterjo Spasses/ 111 vjetori i lindjes

  • Writer: Korca Boom
    Korca Boom
  • Aug 15, 2025
  • 2 min read

Në një atmosferë të ngrohtë dhe plot emocion, Gollomboci u bë dje vendtakimi i artdashësve, studiuesve dhe miqve të letërsisë për të nderuar një nga figurat më të shquara të kulturës sonë – shkrimtarin Sterjo Spasse, krenarinë e Prespës dhe një emër të pavdekshëm të letrave shqipe.


Ky përvjetor u bë edhe më i veçantë falë pranisë së nipit të tij, Arjan Spasse, i cili jo vetëm që na nderoi me pjesëmarrjen, por solli me vete kujtime të gjalla nga jeta e gjyshit të tij dhe detaje të çmuara mbi veprën e tij. Ai ndau me ne një material të rrallë – intervistën e dhënë nga vetë Sterjo Spasse rreth gjysmë shekulli më parë, një dokument që hap dritare të reja për studiuesit e veprës së tij.

Falenderojmë të gjithë të ftuarit: Pedagogen dhe studiuesen Dr. Maria Dojce që solli një këndvështrim të pasur mbi figurën e tij dhe veprën si një ndër elementët që afruan kulturat dhe identitetet. Kryetarin e Shoqatës “Sonce” Vasil Sterjovski, Shkrimtarët e Lidhjes së Shkrimtarëve “Bota e Re”, si dhe gazetarët Eftim Mitrevski, Jorgjeta Gjanci dhe Erjona Pambuku që ndanë reflektime të ndjera mbi trashëgiminë e tij letrare dhe ndikimin e saj brez pas brezi.


Një moment kulmor i mbrëmjes ishte interpretimi mjeshtëror i aktorit Kristian Koroveshi, i cili riktheu në skenë fragmente të paharrueshme nga romani “Pse?”, kryevepra që i dha Spasses vendin e tij të padiskutueshëm në historinë e letërsisë shqiptare.


Kryetari i Bashkisë Pustec, Pali Kolefski, garantoi që kjo mbrëmje do të kthehet në një traditë të përvitshme, për të mbajtur gjallë kujtimin dhe për të nderuar figurën e shkrimtarit tonë të madh.


Ky aktivitet u mundësua nga Bashkia Pustec, MEKI dhe Gjeomjedis – faleminderit për mbështetjen e tyre në ruajtjen dhe promovimin e kulturës sonë.


Sterjo Spasse nuk është thjesht një autor i shquar – ai është një frymëzim që na kujton se letërsia ka fuqinë të na bashkojë, të na pasurojë dhe të na bëjë krenarë për rrënjët tona.

“KORÇA BOOM”


bottom of page