Mesazh për fillimin e vitit të ri kishtar: Kisha, zëri i ndërgjegjes për mbrojtjen e krijimit
- Korca Boom
- Aug 28
- 2 min read
Bartholomeu, Kryepeshkop i Kostandinopojës dhe Patriark Ekumenik
Me hirin dhe mëshirën e Zotit, fillojmë një vit të ri kishtar, duke lartësuar emrin e Tij për veprën e Kishës në mbrojtje të krijimit. Patriarkana Ekumenike ka qenë ndër zërat e parë që theksoi seriozitetin e krizës mjedisore dhe shkaktarët e saj shpirtërorë dhe moralë, duke ofruar si zgjidhje një qasje të krishterë, të bazuar në etiken eukaristike dhe asketike.
Ortodoksia përmes besimit, adhurimit dhe jetës së saj përfaqëson një qasje miqësore ndaj mjedisit. Kështu, Festa e Indiksionit, më 1 shtator, është shpallur si ditë lutjeje për mbrojtjen e natyrës, jo si reagim ndaj krizës ekologjike, por si shprehje e natyrshme e jetës së Kishës.
Respekti për krijimin dhe njeriun janë të pandashëm.
Largimi nga Perëndia sjell një sjellje shfrytëzuese ndaj natyrës dhe të tjerëve. Ndërsa jeta në Krishtin nxit ndjeshmëri dhe përgjegjësi. Vetëm një ndryshim rrënjësor në mendësi dhe sjellje ndaj krijimit mund të përballojë dëmet që po i shkaktohen planetit. Thirrja për “pendesë ekologjike” është sot më e nevojshme se kurrë.
Sot, përveç krizës ekologjike, planeti po përballet me dhunë dhe luftëra që shtojnë vuajtjen e njerëzimit dhe plagët e natyrës. E ardhmja e jetës në Tokë do të jetë ekologjike dhe paqësore — ose nuk do të jetë fare.
Patriarkana Ekumenike do të vazhdojë të udhëheqë në çështjet e mjedisit, duke mbajtur këtë temë në qendër të dialogut ndërfetar dhe ndërkristian. Bashkëpunimi për mjedisin forcon ndjenjën e përgjegjësisë sonë të përbashkët dhe hap rrugë të reja.
I bëjmë thirrje famullive, mitropolive dhe manastireve që të zhvillojnë veprime konkrete për të mobilizuar besimtarët, sidomos të rinjtë, në frymën e përgjegjësisë ekologjike si pjesë e identitetit tonë ortodoks.
Ju urojmë të gjithëve një vit kishtar të bekuar, me lutje për paqe, dashuri dhe mbrojtje të krijimit. Përmes ndërmjetësisë së Shenjtërores Theotokos, thërrasim mbi ju hirin dhe mëshirën e Zotit.
Vit i bekuar kishtar për të gjithë.† Bartholomeu i KostandinopojësLutës i zjarrtë për të gjithë para Perëndisë
“KORÇA BOOM”



















