top of page

Mesazhi i Ahmatajt është i qartë: Europa kërkon edhe përforcime

  • 2 hours ago
  • 2 min read

Deklarata e trajnerit Julian Ahmataj pas ndeshjes miqësore ndaj Partizanit në Pogradec është interpretuar si një sinjal i qartë për drejtuesit e Skënderbeut në lidhje me merkaton e verës.

Tekniku korçar, duke folur për mediat, u shpreh se skuadra ka bërë hapa pozitivë në ndërtimin e grupit, por theksoi se ende ka nevojë për përforcime. Ahmataj bëri të ditur se një lojtar është pranë zyrtarizimit, ndërsa nënvizoi se ekipi ka nevojë për afrime të tjera për të qenë sa më i kompletuar në prag të nisjes së kampionatit më 22 gusht.

Edhe pse trajneri vlerësoi punën që klubi ka bërë deri tani në merkato, deklarata e tij u pa si një mesazh indirekt se ndërtimi i skuadrës nuk ka përfunduar ende dhe se ka pozicione që kërkojnë ndërhyrje.


Një tjetër element i rëndësishëm i deklaratës së Ahmatajt ishte edhe përcaktimi i objektivave për sezonin e ri. Trajneri e bëri të qartë se objektivi minimal i Skënderbeut është qëndrimi në Superiore, një synim që në kushtet e rikthimit në elitë konsiderohet më se normal. Por, përtej këtij objektivi, Ahmataj nuk e fshehu se synimi maksimal i klubit mbetet sigurimi i një vendi në kupat e Europës.


Ky është objektivi që dëshirojnë tifozët, drejtuesit dhe vetë stafi teknik. Megjithatë, si Ahmataj ashtu edhe klubi janë të vetëdijshëm se një synim i tillë mund të realizohet vetëm nëse skuadra është e kompletuar në çdo repart dhe ka alternativat e nevojshme gjatë gjithë sezonit.

Nga sa mësohet, drejtuesit e Skënderbeut e kanë marrë në konsideratë këtë mesazh të trajnerit dhe po punojnë për t'i plotësuar kërkesat e stafit teknik. Për këtë arsye, merkatoja bardhekuqe nuk konsiderohet e mbyllur.


Deri në fund të afatit të verës pritet të afrohen edhe të paktën dy ose tre futbollistë të tjerë, në mënyrë që Ahmataj të ketë në dispozicion një grup sa më të plotë dhe konkurrues. Besohet se me këto afrime, Skënderbeu do të krijojë kontingjentin që trajneri kërkon për të përballuar me sukses sezonin e ri dhe për të synuar jo vetëm mbijetesën, por edhe një vend mes skuadrave që luftojnë për rikthimin në arenën europiane.

“KORÇA BOOM”


bottom of page