"Miklovani është vrarë, mos e kërkoni"/ Zhduket "bosi" shqiptar i drogës në Spanjë, dyshohet se...
- Korca Boom
- 8 hours ago
- 2 min read
Një “bos” droge me origjinë nga Guri i Zi, Shkodër dyshohet se është ekzekutuar nga bandat në Spanjë. Sipas mediave, Miklovan Danaj, ka humbur kontaktet me familjen, ndërkohë që bashkëshortja dhe vëllai i tij po e kërkojnë në çdo vend ku mund të jetë, përfshirë Spanjën, Shqipërinë dhe Italinë ku kishte jetuar për shumë vite.
Pak kohë më parë, familjarët kanë marrë një mesazh shqetësues nga një person i panjohur, i cili u ka thënë se: “Miklovani është vrarë, mos e kërkoni.”
I riu dyshohet të ketë rënë viktimë e një vrasjeje në Spanjë, ndërsa trupi i tij mund të jetë hedhur në det. Miklovani, i njohur ndryshe si ‘Keli’, njihej si një figurë e rëndësishme në trafikun e drogës në Evropë. Burime pranë tij bëjnë me dije se shkaku i vrasjes lidhet me aktivitetin e tij në tregun e kokainës, ku kishte arritur të forconte pozitat e tij në Evropë.
“Është një 30-vjeçar shqiptar nga Shkodra, zhdukur nga banda kolumbiane ose një person nga Vlora. Ishte boss i drogës në shumë vende europiane. Familja po e kërkon, por të gjithë e dinë se ai është vrarë për muhabet droge. U bë shumë i madh në Evropë dhe ka bërë gabim me njerëzit e gabuar,” thonë burimet.
Miklovani pas largimit nga Pisa, Itali, ishte zhvendosur në Marbella, Spanjë, ku merrej me trafikun e kokainës nga Kolumbia drejt Evropës. Me kalimin e viteve, ai ka krijuar grupin e tij dhe ka bërë emër mes bandave, por konflikte të brendshme dhe tradhti nga bashkëpunëtorët mund t’i kenë kushtuar jetën.
Në maj, ai dyshohet se është marrë peng, dhunuar dhe vrarë, ndërsa policia spanjolle po heton zhdukjen, pa dhënë ende informacion mbi gjetjen e trupit. Miklovani jetonte në Spanjë me bashkëshorten dhe vajzën e tij 8 muajshe, ndërsa më parë ishte rritur në Pisa, Itali. Familja vazhdon kërkimin në mungesë të informacionit zyrtar mbi fatin e tij./ LAJMI FUNDIT
“KORÇA BOOM”
