top of page

Ministria e Arsimit prezanton Kodin e ri të Etikës: Rregulla për sjelljen, veshjen dhe përdorimin e rrjeteve sociale nga mësuesit

  • Writer: Korca Boom
    Korca Boom
  • 6 hours ago
  • 2 min read

Të gjithë mësuesit e sistemit arsimor parauniversitar do të duhet të respektojnë një sërë rregullash të reja sjelljeje, të vlefshme si brenda mjedisit të shkollës ashtu edhe jashtë saj. Ministria e Arsimit ka prezantuar Kodin e ri të Etikës, një dokument që synon të përcaktojë standarde të qarta për integritetin, përgjegjshmërinë dhe sjelljen e personelit mësimor, përfshirë edhe përdorimin e rrjeteve sociale.


Sipas këtij Kodi, mësuesit duhet të jenë të kujdesshëm në paraqitjet e tyre publike. Çdo postim, foto apo video në internet duhet të përputhet me etikën profesionale dhe të mos cënojë figurën e edukatorit. Ky rregull është vendosur për të siguruar që imazhi i mësuesit të mbetet gjithmonë i respektuar në sytë e nxënësve, prindërve dhe komunitetit.


“Praktikat më të mira evropiane tregojnë se një kornizë e qartë etike ndihmon mësuesit të përballen me sfidat profesionale me integritet, veçanërisht në një realitet arsimor që ndryshon me shpejtësi për shkak të teknologjisë. Mësuesi duhet të ruajë gjithmonë figurën e tij si model edukues, të nxisë sjellje të përgjegjshme dhe të edukojë nxënësit për përdorimin e sigurt të platformave online”, thuhet në dokumentin e Ministrisë së Arsimit.


Një vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe paraqitjes së jashtme në punë. Mësuesit duhet të jenë të rregullt, të pastër dhe të paraqiten në mënyrë profesionale, duke shmangur veshjet dhe aksesoret që bien në sy apo mund të shpërqendrojnë nxënësit gjatë mësimit.

“Stolitë dhe elementet shtesë në veshje duhet të jenë të thjeshta dhe të përshtatshme për mjedisin shkollor, duke evituar bizhuteritë e mëdha, me ngjyra të forta ose që prodhojnë tinguj, pasi këto mund të prishin vëmendjen në klasë”, përcaktohet më tej në Kodin e Etikës.


Dokumenti i ri ndalet edhe tek marrëdhënia e mësuesit me nxënësit. Neni 5 thekson qartë se mësuesit duhet të respektojnë privatësinë dhe dinjitetin e çdo fëmije, duke shërbyer si model sjelljeje dhe duke promovuar zgjidhjen paqësore të konflikteve. Po ashtu, mësuesit me më shumë përvojë kanë detyrimin moral dhe profesional të mbështesin kolegët e rinj, duke i udhëzuar në sfidat e përditshme të procesit arsimor.


Ky Kod pritet të hyjë në fuqi gjatë vitit shkollor të ri dhe shihet si një hap drejt forcimit të standardeve të arsimit në Shqipëri, në përputhje me modelet më të avancuara evropiane.

“KORÇA BOOM”

ree

bottom of page