“Mund ta bëj sot, bëhuni gati!”, zbardhet mesazhi i 14-vjeçarit që vr*u nëntë persona në shkollën e tij
- 4 hours ago
- 2 min read
Detaje të reja vijojnë të dalin në dritë nga ngjarja tragjike në Kahramanmaraş të Turqisë, ku një nxënës 14-vjeçar hapi zjarr në ambientet e një shkolle, duke shkaktuar vdekjen e 9 personave, mes tyre 8 nxënës dhe një mësuese.
Pak para se të ndërmerrte sulmin, i mituri kishte publikuar një mesazh shqetësues në anglisht në një platformë online, ku paralajmëronte aktin: “Mund ta bëj sot rreth orës tre. Nxënës të klasës së pestë dhe të gjashtë, bëhuni gati. Ndihem kaq i mbaruar sot”.
Sipas raportimeve mediatike, një prind ka dëshmuar për momentet e tensionuara pas nisjes së sulmit. Ai tregon se, pasi pa prindër të tjerë që përpiqeshin të neutralizonin autorin, ndërhyri dhe e plagosi atë me një mjet të mprehtë të gjetur në vendngjarje.
Raportet sugjerojnë se kjo plagë mund të ketë qenë shkaku real i vdekjes së 14-vjeçarit, dhe jo vetëvrasja, siç u raportua fillimisht. Të dhënat paraprake nga ekspertiza mjeko-ligjore tregojnë se i mituri kishte marrë një dëmtim fatal në këmbën e djathtë, që çoi në gjakderdhje të pakontrolluar pas këputjes së një ene të madhe gjaku.
Ekspertiza është realizuar nga një ekip i përbërë nga dy mjekë ligjorë, një kameraman dhe një specialist fotografik. Në raport përshkruhet se në trupin e viktimës janë konstatuar njolla kadaverike në zona pa presion, gjurmë të shumta gjaku të tharë, si dhe elementë të tjerë teknikë që lidhen me ekzaminimin. Po ashtu, në duart e tij janë gjetur qese mbrojtëse najloni, ndërsa në pjesën e shpinës katër elektroda.
Në fokus të hetimeve është vendosur edhe gjendja psikologjike e adoleshentit. Sipas të atit, ish-polic, 14-vjeçari kishte filluar të ndiqej nga një psikolog në muajt e fundit, për shkak të izolimit dhe kohës së gjatë që kalonte në internet dhe në videolojëra me përmbajtje të dhunshme.
“Djali im vizitonte psikologun prej dy muajsh. Kalonte shumë kohë në kompjuter dhe në lojëra me armë. Ishte inteligjent, por i tërhequr dhe i izoluar”, ka deklaruar babai, i cili tashmë është arrestuar, pasi armët e përdorura në sulm rezultojnë të kenë qenë në pronësi të tij.
Një video e publikuar së fundmi tregon babanë duke e çuar djalin në një poligon qitjeje dy ditë para ngjarjes, ku i jep këshilla për përmirësimin e aftësive në përdorimin e armëve.
Po ashtu, një tjetër video e realizuar nga shokët e klasës e paraqet 14-vjeçarin duke kryer veprime të pazakonta në klasë, duke simuluar përdorimin e një arme me duar.
Autoritetet turke kanë bërë të ditur se i mituri shfaqte interes për autorë të sulmeve të mëparshme. Sipas policisë, ai përdorte në profilin e tij në WhatsApp një imazh që lidhej me Elliot Rodger, autor i një sulmi në SHBA në vitin 2014.
Rodger vrau gjashtë persona në një kampus universitar në Kaliforni, përpara se të vetëvritej. Në materialet që la pas, ai e justifikonte aktin si një formë “ndëshkimi”, çka ka ngritur shqetësime mbi ndikimin e figurave të tilla tek të rinjtë.
Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes vijojnë, ndërsa rasti ka rikthyer në vëmendje çështje të ndjeshme si qasja ndaj armëve, shëndeti mendor i të miturve dhe ndikimi i përmbajtjeve digjitale./ Pamfleti
“KORÇA BOOM”
















