Myslim Murrizi paralajmëron “tërmet” në PD: Do jem në Parlament, në shtator apo më vonë/ Zullumet do paguhen!
- Korca Boom
- 2 days ago
- 2 min read
Edhe pse nuk arriti të sigurojë mandat në zgjedhjet e fundit, Myslim Murrizi nuk e ka humbur aspak besimin se do të jetë pjesë e Parlamentit të ardhshëm. Në një intervistë televizive, anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike paralajmëron zhvillime të forta në vjeshtë, të cilat sipas tij do të shkaktojnë "tërmet" në listën e PD për Tiranën.
Me sytë nga SPAK dhe me tone sfiduese ndaj kolegëve të tij demokratë, Murrizi u shpreh:
“Nuk ua heq unë mandatin, e dinë vetë ata. Ata që janë në proces gjyqësor dhe ata që janë në proces hetimor. Nuk uroj askënd që të jetë në burg, por zullumet që kanë bërë do t’i paguajnë vetë. Kam thënë që në shtator do jem në Parlament, por nuk kam dhënë vitin… mund të jetë edhe shtatori i 2026. Por është e sigurt: do jem atje!”
Akuza për opozitën dhe aferën "Bankers": Heshtje selektive dhe tenderë për kundërshtarët
Murrizi nuk kurseu kritikat për sjelljen e opozitës pas humbjes së zgjedhjeve, duke e cilësuar të gjithë aksionin si "opozitë selektive".
“Jam i indinjuar shpirtërisht për heshtjen ndaj aferës më të madhe të shekullit, që është Bankers. U ka vjedhur shqiptarëve 15 miliardë euro pasuri nëntokësore në 21 vite. Je opozitar por merr tendera, merr lek për dorovitje dhe bën avokatinë e tyre”, – tha ai, duke përmendur edhe Komisionin Hetimor për shëndetësinë dhe koncesionet, të cilin e kritikoi për qëndrime të njëanshme.
Ai solli si shembull koncesionin e laboratorëve me vlerë 130 milionë euro dhe atë të dializës me 100 milionë euro, për të cilat, sipas tij, nuk është thënë asnjë fjalë nga opozita.
Sulm të dyanshëm: Murrizi akuzon si të majtën, ashtu edhe të djathtën
Për Murrizin, afera “Bankers” ka ekspozuar lidhjet e errëta të politikës shqiptare, si nga e majta, ashtu edhe nga e djathta.
“Më ka bërë përshtypje dorovitja ashiqare e tre studiove ligjore që kanë marrë 13.5 milionë euro nga viti 2019 deri më sot. Përse kjo aferë, që ka përmasat më të mëdha të një vjedhjeje në historinë e Shqipërisë, nuk merret nga SPAK? Mos ndoshta sepse janë të përfshirë tre ish-deputetë dhe dy ish-ministra që janë nën hetim nga SPAK?”, – pyet ai.
Nëse Berisha hap garën, Murrizi i pari që do sfidojë
Ndërsa Partia Demokratike përgatitet për vjeshtën dhe legjislaturën e re, Myslim Murrizi shikon përtej shtatorit, drejt një pranvere “akoma më interesante”.
Në rast se Sali Berisha vendos të mos kandidojë më për kryetar partie, Murrizi deklaron se është gati për t’u futur në garë.
“Nëse Berisha nuk do jetë kandidat dhe nuk do trazojë, unë absolutisht do jem në garë për kryetar partie. Si ish-student i Dhjetorit, si njeri që nuk vi nga komunizmi, që s’kam marrë asnjë lek publik dhe që nuk bëj opozitë selektive. Pse jo, edhe përballë Berishës. Nuk e di që kjo është parti private e një njeriu.”
“KORÇA BOOM”
