top of page

Ndërron jetë 48-vjeçarja në Korçë, djali akuzon mjekët: Nuk treguan kujdesin e duhur, e nxorën nga spitali

  • Writer: Korca Boom
    Korca Boom
  • 5 hours ago
  • 2 min read

G. N u dërgua në urgjencën e spitalit të Korçës dy ditë më parë, pasi kishte shfaqur probleme në frymëmarrje. Ajo u trajtua në shërbimin e urgjencës dhe më pas u dërgua në shtëpi.


Ditën pasuese, gjendja e saj u përkeqësua sërish dhe familjarët njoftuan

ambulancën. Mjeku i urgjencës i aplikoi injeksione, pasi pacientja kishte rrahje të rritura të zemrës dhe tension të ulët.


Mëngjesin e sotëm, 48-vjeçarja nuk është ndjerë përsëri mirë dhe ka qenë djali dhe babai i saj që e kanë gjetur të pajetë në dhomë.“Mami thoshte se nuk ndihej mirë, se ishte e lodhur dhe kishte rrahje të larta të zemrës.


E çuam në spital, iu bënë kontrollet, i thanë që kishte anemi, i dhanë disa mjekime dhe u larguam. Ajo vazhdonte të thoshte se nuk ndihem mirë, por doktorët nuk na treguan asgjë dhe e nxorën. Si mund të lejosh një njeri të largohet kur ai të thotë se nuk ndihet mirë?


Ditën tjetër, përsëri u ankua se nuk ishte mirë dhe lajmëruam ambulancën. Na thanë se kishte tension të ulët dhe rrahje të larta të zemrës, ndërsa i bënë tre gjilpëra. Gjatë ditës, mami ankohej sërish se nuk ndihej mirë.


Dua të di pse mjekët nuk na informuan se çfarë duhet të bënim. Pse nuk e mbajtën në spital, por e nxorën? Si e lanë të largohej në atë gjendje? Sot më ndodhi mua, nesër mund t’i ndodhë dikujt tjetër.”


Ndërkohë, Policia e Korçës po merr deklarimet e familjarëve për rastin, ndërsa pritet që të pyetet edhe stafi mjekësor që ka qenë në shërbim përgjatë këtyre dy ditëve. Nga ana tjetër, trupi i 48-vjeçares do t’i nënshtrohet autopsisë për të përcaktuar shkakun e vdekjes.


"KORCA BOOM"

ree


bottom of page