top of page

Ndërtimi jep sinjalin e parë të fortë të ngadalësimit, çfarë po ndodh me kërkesën për apartamente?

7 hours ago
2 min read

Sektori i ndërtimit në Shqipëri po përballet me sinjale të ngadalësimit të aktivitetit, ndërsa të dhënat e fundit të Bankës së Shqipërisë tregojnë një rënie të ndjeshme të besimit gjatë muajit tetor 2026.


Sipas vrojtimit të Bankës së Shqipërisë, Treguesi i Besimit në Ndërtim (TBN) u ul me 5.7 pikë përqindje brenda një muaji, duke regjistruar rënien më të fortë ndër sektorët e ekonomisë. Kjo ecuri ka ndikuar edhe në frenimin e Treguesit të Ndjesisë Ekonomike në vend.


Rënie e ndjeshme e kontratave të reja


Një nga sinjalet kryesore të dobësimit të sektorit lidhet me kontratat e reja. Balanca e kontratave porositëse ra nga -15 pikë përqindje në shtator, në -24.9 pikë përqindje në tetor.

Paralelisht, është rritur edhe numri i kompanive që raportojnë kërkesë të pamjaftueshme për aktivitetin e tyre. Në tetor, 45.93% e firmave të ndërtimit e identifikuan kërkesën e dobët si një faktor kufizues, krahasuar me 42.75% në muajin shtator.


Të dhënat tregojnë për një dobësim të kërkesës dhe një ngadalësim të aktivitetit në sektor. Edhe treguesi i aktivitetit aktual në ndërtim ka shënuar rënie, duke zbritur në 13 pikë.


Ndryshojnë pritshmëritë për çmimet


Rënia e kërkesës duket se ka ndikuar edhe në pritshmëritë e ndërtuesve për çmimet e ardhshme.


Treguesi i pritjeve për çmimet u ul në 11.8 pikë, duke sinjalizuar se kompanitë kanë më pak pritshmëri për rritje të mëtejshme të çmimeve të pasurive të paluajtshme.


Megjithatë, sektori i ndërtimit vijon të qëndrojë mbi mesataren e tij historike, pas rritjes së regjistruar në vitet e fundit.


Rënia e besimit, dobësimi i kontratave të reja dhe shtimi i firmave që raportojnë kërkesë të pamjaftueshme përbëjnë sinjale të rëndësishme për ecurinë e sektorit në muajt në vijim.

“KORÇA BOOM”


bottom of page