Paguani me cash mbi kufirin dhe rrezikoni gjobë të majme, çfarë parashikon projektligji
Qeveria synon të ashpërsojë më tej kufizimet për përdorimin e parasë cash, duke parashikuar gjoba për qytetarët dhe bizneset që kryejnë pagesa në dorë mbi kufijtë e lejuar.
Në ndryshimet e propozuara në projektligjin “Për Procedurat Tatimore”, parashikohet një gjobë sa 10% e faturës në rastet kur pagesa me para në dorë tejkalon tavanin e përcaktuar nga qeveria.
Sipas kufizimeve në fuqi, qytetarët nuk mund të kryejnë transaksione cash me vlerë më të lartë se 500 mijë lekë, ndërsa për bizneset kufiri është 100 mijë lekë.
Ndryshimet e propozuara parashikojnë masa edhe për subjektet që refuzojnë në mënyrë të përsëritur t’i japin administratës tatimore informacionin e kërkuar. Në këto raste, tatimet mund të sekuestrojnë dokumentacionin, pajisjet kompjuterike dhe pajisjet fiskale, në përputhje me kushtet e përcaktuara në projektligj.
Një tjetër ndërhyrje lidhet me kontrollin tatimor gjatë çregjistrimit të bizneseve. Projektligji parashikon lehtësimin e procedurës, duke mos zbatuar afatin e zakonshëm të njoftimit për kontrollin. Verifikimi duhet të përfundojë brenda një afati maksimal prej 30 ditësh pune.
Po ashtu, administrata tatimore do të mund të nisë procedurat e mbledhjes me forcë për parapagimet e papaguara të tatimit mbi fitimin dhe tatimit mbi të ardhurat personale nga biznesi, pasi të ketë përfunduar afati ligjor i pagesës.
Sipas relacionit shoqërues, kjo masë synon të rrisë disiplinën në pagesat tatimore dhe të parandalojë grumbullimin e detyrimeve deri në deklarimin përfundimtar të tatimit.
Projektligji parashikon gjithashtu një gjobë prej 100 mijë lekësh për tatimpaguesit që nuk paraqesin brenda afatit ligjor dokumentacionin e transferimit të çmimit, kur ai kërkohet nga administrata tatimore. Afati për dorëzimin e dokumentacionit është 45 ditë, sipas ligjit për tatimin mbi të ardhurat.
Ndryshimet synojnë forcimin e kontrollit tatimor dhe rritjen e zbatimit të detyrimeve nga qytetarët dhe bizneset, ndërsa masat e propozuara do të duhet të ndiqen sipas procedurave të miratimit të projektligjit.
“KORÇA BOOM”
















