top of page

Burgjet thyejnë heshtjen për transferimin e Veliajt, urdhri klasifikohet “sekret shtetëror”

4 hours ago
1 min read

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka reaguar zyrtarisht për transferimin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, nga burgu i Durrësit në atë të Fierit, duke sqaruar se urdhri për lëvizjen e tij është klasifikuar si “sekret shtetëror”.


Sipas njoftimit, transferimi është kryer për arsye sigurie dhe për të garantuar mbarëvajtjen e institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale. Drejtoria bën të ditur se për këtë lëvizje është njoftuar edhe organi i prokurorisë, në përputhje me legjislacionin në fuqi.


Veliaj u vendos në sektorin e pranimit dhe observimit të burgut të Fierit më 28 tetor. Një ditë më pas, më 29 tetor, pas një vlerësimi individual dhe zhvillimit të procedurave përkatëse, komisioni i pranimit vijoi me sistemimin e tij në institucion.


Në reagimin e saj, Drejtoria e Burgjeve thekson se procedurat janë kryer në përputhje me ligjin për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve, si dhe me Rregulloren e Përgjithshme të Burgjeve.


Sa i përket urdhrit të transferimit, institucioni sqaron se dokumenti është klasifikuar “sekret shtetëror”, ndaj administrimi dhe vënia e tij në dispozicion u nënshtrohen rregullave ligjore për informacionin e klasifikuar.


Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve bën gjithashtu të ditur se nga data 16 deri më 27 tetor 2026 janë kryer 24 transferime të tjera, duke i cilësuar ato si procedura të realizuara brenda kuadrit ligjor.


Në përfundim, institucioni deklaron se do të vijojë të marrë masat e nevojshme për garantimin e sigurisë dhe mbarëvajtjen e burgjeve, duke respektuar të drejtat dhe dinjitetin e personave të paraburgosur dhe të dënuar.

“KORÇA BOOM”


bottom of page