top of page

Nga 182 deri në 189 lekë/litër, rriten çmimet e karburanteve në Shqipëri

  • 9 hours ago
  • 1 min read

Konflikti në Lindjen e Mesme po reflektohet me shpejtësi edhe në tregun shqiptar të karburanteve. Këtë të premte, çmimi i naftës ka pësuar sërish rritje në shumicën e pikave të furnizimit në vend.


Aktualisht, në pjesën më të madhe të pikave të karburanteve nafta po shitet me rreth 182 lekë për litër. Megjithatë, në disa operatorë të tregut çmimi është edhe më i lartë, duke arritur nga 185 deri në 189 lekë për litër.


Operatorët e tregut e lidhin këtë luhatje me zhvillimet në tregjet ndërkombëtare të energjisë, ku çmimet e naftës së papërpunuar kanë shënuar rritje për shkak të tensioneve gjeopolitike dhe pasigurive në furnizim.


Shoqata e Hidrokarbureve ka paralajmëruar prej disa ditësh se rritja e çmimeve mund të arrijë deri në 40 lekë për litër nëse situata ndërkombëtare vijon të përkeqësohet. Ndërkohë, Autoriteti i Konkurrencës ka nisur monitorimin e tregut të karburanteve, duke vendosur nën vëzhgim kompanitë që operojnë në tregtimin me shumicë dhe me pakicë të benzinës dhe naftës.


Vëmendja kryesore e këtij procesi do të përqendrohet tek ecuria e çmimeve në pikat e shitjes me pakicë dhe mënyra se si reflektohen ndryshimet e tregjeve ndërkombëtare në çmimin final për konsumatorët.


Shqipëria mbetet një vend shumë i varur nga importi i hidrokarbureve, ndaj çdo luhatje në tregjet globale reflektohet relativisht shpejt në çmimet që paguajnë qytetarët.


Ekspertët theksojnë se nafta është hallka e parë e zinxhirit të konsumit. Çdo rritje e çmimit të saj përkthehet në kosto më të larta transporti dhe prodhimi, duke ushtruar presion për rritjen e çmimeve edhe tek produktet e tjera të konsumit të përditshëm.

"KORCA BOOM"


bottom of page