Nga Fuat Memelli/Kremtimi i Panairit të Transferimit të Lipsaneve të Shën Kollit në Sinicë, këtë vit përkoi me 175-vjetorin e kishës së fshatit
- Korca Boom
- May 24
- 2 min read
Prej vitesh, banorët e Sinicës në rrethin e Devollit festojnë këtë ditë të shënuar më 20 maj. Si gjithmonë, mblidhen së bashku të krishterë dhe myslimanë, jo vetëm ata që banojnë në fshat, por edhe të ardhur nga Korça, Tirana, Greqia, Amerika e më gjerë.
Në fillim u mbajt mesha në kishën që mban emrin e shenjtorit Shën Koll, e cila u drejtua nga At Pavli Dimashi, At Viktor Ikonomi dhe At Kostandin Nako me origjinë nga Pojani, i cili ishte i dërguar nga Shërbesat Fetare.
Besimtarët kryen ritualin e zakonshëm kishtar. Erjeta Themeli, një besimtare sinicare që jeton në Korçë por nuk e harron fshatin e saj, kishte sjellë bukë dhe ushqime të tjera që në gjuhën kishtare quhen “Shërbesa e pesë bukëve”.
Një grup sinicarësh kishin mbledhur një fond për rregullimin e shkallëve të jashtme të kishës, pasi ato ishin dëmtuar. Në krye të kësaj nisme ishte Erjeta Themeli, e cila ka kontribuar edhe më parë për kishën.
Pas meshës, të gjithë u mblodhën në sheshin e shkollës ku festuan së bashku, me ushqimet dhe pijet që kishin sjellë vetë, ku më e preferuara ishte rakia e kumbullës, e zier dy herë. Sistemimi i tavolinave, karrigeve dhe çadrave u bë nga kryetari i fshatit, Afrim Memelli, dhe Stavri Dimashi.
Këto 70 karrige dhe 11 tavolina janë sjellë nga sinicari i përkushtuar Robert Memelli, dhuratë nga Shkolla e Mesme Profesionale në Korçë, ku ai punon. Fshati i është mirënjohës kësaj shkolle.
Në fillim u bë bekimi nga At Pavli dhe At Viktori. Të pranishmit i përshëndeti edhe autori i këtij shkrimi, që jeton në Amerikë. Ai theksoi se është një traditë e bukur që kjo ditë festohet së bashku, të krishterë dhe myslimanë.
Siç ka thënë Gjergj Fishta: “Festojmë Bajram e Pashkë,Por Shqipërinë e kemi bashkë.”
Këtë vit, festa përkoi edhe me 175-vjetorin e kishës së fshatit. Për disa orë, nën tingujt e orkestrës së ardhur nga Korça, jehuan vallet dhe këngët.
Nën tingujt e dy kitaristëve të ardhur po ashtu nga Korça, Leonidha Tërpini dhe Agim Hoxhalli, u kënduan këngë të serenatave korçare. Nga ky takim, sinicarët dhe miqtë e tyre u kënaqën dhe u çmallën me njëri-tjetrin. Bënë fotografi dhe video të shumta për kujtim.
Por kujtimi më i bukur do të mbetet në zemrat e tyre.
U ndanë me urimin: “Mirupafshim vitin tjetër!”
“KORÇA BOOM”



















