top of page

Pse po vonohet amnistia? Juristi ngre pikëpyetje mbi zvarritjen

  • 1 day ago
  • 1 min read

Juristi Bledi Dervishaj ka reaguar lidhur me vonesën e shpalljes, publikimit dhe hyrjes në fuqi të Ligjit nr. 57/2026 “Për dhënie amnistie”, duke u bërë thirrje personave që pritet të përfitojnë të tregojnë durim edhe për rreth 25 ditë.


Në analizën e tij, Dervishaj rikujton se iniciativa për amnistinë penale u njoftua në fund të vitit 2025, ndërsa projektligji u depozitua në Kuvendi i Shqipërisë më 9 shkurt 2026. Pas disa muajsh pritjeje, ligji u miratua më 18 qershor 2026.


Sipas tij, pas miratimit në Kuvend, procedura parashikon dërgimin e ligjit për shpallje nga Presidenti i Republikës dhe më pas botimin në Fletoren Zyrtare. Vetëm pas publikimit, ligji hyn në fuqi 15 ditë më vonë, duke i hapur rrugë zbatimit nga institucionet përkatëse.


Dervishaj thekson se deri më tani Ligji nr. 57/2026 nuk rezulton i publikuar në Fletoren Zyrtare, ndërsa në faqen zyrtare të institucionit të Presidentit janë shpallur ligjet deri te nr. 56/2026.


Sipas juristit, kjo do të thotë se ligji ose nuk ka mbërritur ende për shpallje, ose ndodhet ende në proces shqyrtimi.


Ai nënvizon se kjo vonesë po ndikon drejtpërdrejt te personat që mund të përfitojnë nga amnistia, përfshirë të dënuar, persona nën hetim, avokatë dhe familjarë, të cilët presin hyrjen në fuqi të ligjit.


Në përfundim, Dervishaj shprehet se nuk arrin të kuptojë arsyet e kësaj zvarritjeje, duke theksuar se bëhet fjalë për një ligj me karakter humanitar, që pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në situatën juridike të shumë personave.

“KORÇA BOOM”


bottom of page