top of page

NGA: Ledina Alolli/ KORÇA NË RREZIK – Identiteti i qytetit o shembet me leje ndërtimi!

  • Writer: Korca Boom
    Korca Boom
  • Jun 18, 2025
  • 2 min read

Të nderuar qytetarë, dashamirës të Korçës, qytetarë të ndjeshëm ndaj trashëgimisë dhe ligjit, më 27 shkurt 2025, në rendin e ditës të Këshillit Kombëtar të Territorit, është përfshirë një pikë shqetësuese që ka alarmuar të gjithë ata që e duan qytetin e Korçës: një leje ndërtimi për një objekt banimi me 6 dhe 8 kate mbi tokë dhe 1-2 kate nëntokë, në Bulevardin “Republika”, zemra e qytetit të Korçës, një zonë historike, e mbrojtur me ligj si pasuri kombëtare.


Zona ku parashikohet kjo ndërhyrje është pjesë e njësisë KO/UB466, e shpallur me VKM nr. 207, datë 15.03.2017, si pjesë e Trashëgimisë Kulturore dhe Natyrore të qytetit të Korçës, ku lartësia maksimale e lejuar për ndërtim është vetëm 10 metra.


Sot, pa asnjë transparencë, pa asnjë komunikim publik dhe me mungesë totale të konsultimit me komunitetin dhe specialistët e trashëgimisë, diskutohet në nivele të larta një leje ndërtimi që shkel ligjin, planin urbanistik dhe identitetin e qytetit.


Ky nuk është thjesht një projekt ndërtimi, por është një kërcënim për vazhdimësinë urbane, arkitekturën karakteristike dhe shpirtin historik të Korçës.


Kërkojmë sot, para se të jetë vonë, një sqarim të menjëhershëm nga Bashkia Korçë për qëndrimin e saj lidhur me këtë leje dhe nëse ka dhënë dakordësinë institucionale për këtë ndërtim. Kërkojmë gjithashtu, reagim publik nga Ministria e Kulturës dhe Instituti i Monumenteve të Kulturës, si autoritetet mbrojtëse të zonave tona historike. Kërkojmë transparencë të plotë nga KKTU mbi procesin vendimmarrës, kriteret e përdorura dhe përputhshmërinë me kuadrin ligjor ekzistues. Duhet gjithashtu të mbahet përgjegjësi nga çdo institucion që mund të ketë dhënë pëlqime në kundërshtim me VKM-në dhe rregulloren urbanistike.


Ne nuk po kërkojmë mëshirë, por kërkojmë respekt për ligjin dhe dinjitet për qytetin tonë. Korça nuk është një terren i lirë për interesa ndërtimore. Korça është trashëgimi kombëtare, është pasuri e përbashkët dhe çdo ndërhyrje duhet të jetë transparente, ligjore dhe në dobi të komunitetit.


Nëse kjo leje miratohet, shembet një parim që është mbrojtur për mbi 30 vite me mund, me përpjekje dhe me dashuri për qytetin tonë.


Sot është koha për të ngritur zërin, para se nesër të jetë vonë.


“KORÇA BOOM”



bottom of page