Seanca për Ballukun, policia blindon Parlamentin
- 2 days ago
- 1 min read
Pak para nisjes së seancës plenare, policia ka blinduar Parlamentin për shkak të protestës së paralajmëruar nga opozita, e cila do të zhvillohet në të njëjtën kohë me votimin mbi kërkesën e SPAK-ut për heqjen e imunitetit të deputetes socialiste Belinda Balluku.
Forca të shumta policie janë vendosur rreth godinës së Kuvendit për të garantuar rendin dhe sigurinë gjatë zhvillimit të protestës. Një ditë më parë, zona përreth Parlamentit është rrethuar me barriera metalike si masë paraprake për protestën e thirrur nga Partia Demokratike.
Demokratët kanë bërë të ditur se do të protestojnë si jashtë ashtu edhe brenda sallës së seancave plenare, çka ka detyruar institucionet të vendosin masa të përforcuara sigurie.
Një kordon policor është vendosur jashtë godinës së Parlamentit, teksa ligjvënësit socialistë do të mbërrijnë më herët në seancë për të shmangur përplasjet me protestuesit e opozitës, të cilët janë thirrur në orën 10:00.
Në të njëjtën kohë kur jashtë pritet protesta, brenda sallës së Kuvendit pritet një përplasje e fortë politike mes mazhorancës dhe opozitës për kërkesën e SPAK, për heqjen e imunitetit Belinda Ballukut./ Pamfleti
“KORÇA BOOM”
















