top of page

Nga mosha e daljes në pension te bonusi mujor, çfarë ndryshon për shqiptarët në vitin 2026

1 hour ago
2 min read

Viti 2026 sjell ndryshime të rëndësishme për mijëra pensionistë dhe qytetarë që janë pranë moshës së pensionit. Reforma e nisur në vitin 2015 vijon të zbatohet gradualisht, duke sjellë rritje të moshës së daljes në pension për gratë dhe të viteve të sigurimit të kërkuara për të dyja gjinitë.


Një tjetër ndryshim lidhet me bonuset mujore që përfitojnë pensionistët, të cilat synojnë të lehtësojnë përballimin e kostos së jetesës.


Kush del në pension gjatë vitit 2026?


Gjatë këtij viti, mosha e daljes në pension për gratë arrin në 62 vjeç, nga 61 vjeç e 10 muaj që ishte në vitin 2025. Për burrat, mosha mbetet e pandryshuar, në 65 vjeç.


Ndryshim ka edhe në vitet e sigurimit të kërkuara për përfitimin e pensionit të plotë. Në vitin 2026, qytetarëve u nevojiten 39 vite sigurim, nga 38 vite e 8 muaj që kërkoheshin një vit më parë.


Sipas ekspertes Romina Radonshiqi, plotësimi i viteve të sigurimit mbetet një sfidë për shumë qytetarë. Rreth 55% e pensioneve aktualisht janë të pjesshme, pasi përfituesit nuk arrijnë të plotësojnë periudhën e kërkuar të sigurimit.


Sa përfitojnë pensionistët nga bonusi mujor?


Nga janari i vitit 2026 ka nisur aplikimi i bonusit mujor, me shuma të ndryshme në varësi të kategorisë së pensionit.


Përfitimet mujore janë:


  • Pension urban i plotë: 1,800 lekë;

  • Pension rural: 1,000 lekë;

  • Pension urban i pjesshëm: 800 lekë;

  • Pension familjar: 700 lekë;

  • Pension invaliditeti: 600 lekë.


Një detaj i rëndësishëm që duhet të kenë parasysh pensionistët është se bonusi nuk përfshihet në bazën e pensionit. Kjo do të thotë se, sipas skemës së përshkruar, indeksimi i radhës në tetor 2026 do të llogaritet mbi masën e pensionit, pa përfshirë bonusin mujor.


Objektivi deri në vitin 2030: Pension minimal 200 euro dhe mesatar 400 euro


Qeveria ka vendosur si objektiv që deri në vitin 2030 pensioni minimal të arrijë në 200 euro, ndërsa pensioni mesatar në 400 euro. Sipas deklarimeve të bëra nga përfaqësues të qeverisë, skema e rritjes do të zbatohet gradualisht, me shtesa në vitet në vijim.


Ndërkohë, Ministria e Financave pritet të prezantojë gjatë vitit 2026 një reformë të re strukturore të sistemit të pensioneve.


Reforma synon të trajtojë sfidat që lidhen me financimin e skemës, në kushtet e plakjes së popullsisë, si dhe të përmirësojë trajtimin e kategorive që përfitojnë pensione të ulëta, veçanërisht personat që kanë punuar në bujqësi ose kanë pasur periudha të gjata papunësie.


Ndryshimet e këtij viti prekin drejtpërdrejt si personat që presin të dalin në pension, ashtu edhe ata që tashmë e përfitojnë atë.

“KORÇA BOOM”


bottom of page