Nga Partizani, te Tirana e Skënderbeu, objektivi i korçarëve i qartë..
- Aug 3, 2023
- 2 min read
Ka akoma kohë deri në startin e superligës së re 2023-2024, ndërkohë që Skënderbeu dhe Dinamo në këtë sezon janë dy ekipet që i janë bashkuar “sofrës” më të madhe të futbollit shqiptar. Skënderbeu është rikthyer sërish atje ku e ka vendin, por sa do të arrijë që t’ia dalë me objektivin që ka në këtë superligë?
Hamendjet janë të mëdha, por duke qëndruar me “këmbë në tokë” Skënderbeu do të kërkojë padiskutim qëndrimin në superligë, ose e thënë ndryshe një vend në mesin e artë, do të jetë objektivi më luks i Skënderbeut që duhet të presë edhe 3 vjet të tjera dënimin që nga UEFA për të mos marë pjesë në Kupat e Europës.
Këtë objektiv e pranojnë të gjithë në kampin bardhekuq dhe jo më kot edhe merkatoja e verës tregon qartë që nuk po synohen emra të mëdhenj futbollistës, por lojtarë të së ardhshmes, që në fakt duket se janë talente që do të vlejnë shumë nesër.
Për kreun e tabelës së klasifikimit, sigurisht që edhe në superligën e re nuk do të mungojnë ta synojnë, Partizani dhe Tirana. Ndërkohë që më poshtë tyre do të jenë Laçi, Vllaznia, Egnatia, apo e ndonjë skuadër tjetër. Një tjetër renditje pritet nga ekipet e tjera, si Skënderbeu, Dinamo, Teuta, Kukësi, Erzeni.
Sigurisht që në Korçë tifozët mund të duan edhe titullin kampion, por kur Skënderbeu vazhdon të jetë i dënuar, nuk ka arsye që të synohen Kupat e Europës.
A do të arrijë Skënderbeu të sigurojë objektivin që ka, mesin e tabelës së superligës?
Kjo mbetet për tu parë, por që bardhekuqtë janë të bindur që me presidentin Ardjan Takaj, stafin teknik me në krye Ivan Gvozdenoviç dhe grupin që kanë në dispozicion, padiskutim që do ja dalin…
















