top of page

Nga prodhimi i mjaltit te turizmi, fermat e Korçës tërheqin vizitorë

  • 5 hours ago
  • 1 min read

Bletaria në qarkun e Korçës po shndërrohet gjithnjë e më shumë në atraksion turistik, duke tërhequr vizitorë të huaj, veçanërisht nga Gjermania. Fermat e bletëve po përfshihen edhe në guida turistike.


Në qarkun e Korçës numërohen mbi 200 ferma bletësh, ndërsa më të sofistikuarat prej tyre po shndërrohen edhe në destinacione turistike.


Një grup turistësh gjermanë ka vizituar një nga këto ferma, ndërsa administratori i saj, Eugen Skërmo thotë se vizitat turistike janë në rritje të vazhdueshme.


“Kanë ardhur me guide turistike Në Shqipëri dhe vendosën të vizitojnë 1-2 ferma. Jane duke diskutuar për bletën, për mjaltin dhe për risitë e bletarise. Kemi ftuar dhe shoqatën e bletëve të Korçës një binjakëzim dhe Shoqatës së Korçës se Bavarisë”, tha ai.


Bavaria njihet si një nga rajonet me traditë të zhvilluar në bletari, ndërsa turistët gjermanë shprehen të impresionuar nga ajo që kanë parë në Shqipëri.


“Ne zakonisht shkojmë në vende të ndryshme për të parë se si organizohet bletaria, llojet e mjaltit dhe mënyra e përpunimit, deri te ruajtja e cilësisë dhe dalja në treg. Interesi i shoqatës është që të ketë bashkëpunime të mëtejshme me kolegë të ndryshëm.


Ne kemi parë se si zhvillohet bletaria në Shqipëri, dëshirojmë të shohim të gjitha proceset edhe në këtë fermë. Secili prej kolegëve është i interesuar të mbledhë informacione dhe të mësojë diçka të re për të zhvilluar parkun e tij në Gjermani”, tha Franz Vollmajer, kryetari i Shoqatës së Bletërritësve të Bavarisë Gjermani.


Vitet e fundit, fermat e bletëve përveç prodhimit të mjaltit po përjetojnë edhe rritje të vizitave turistike, duke u përfshirë gjithnjë e më shumë në guidat e huaja./ Euronews

“KORÇA BOOM”


bottom of page