Nga tenderët te dalja në media, ministrat në “provim” para Ramës/ Zbardhet axhenda e ditës së dytë në Pogradec
- 13 minutes ago
- 2 min read
Ministrat me kronometër përballë Ramës, vetëm 15 minuta për bilancin e dikasterit...
Ministrat e qeverisë do të mblidhen këtë të hënë në një retreat të posaçëm, ku secili dikaster do të prezantojë bilancin e punës, rezultatet e arritura, problematikat dhe detyrat që mbeten për t’u realizuar.
Mbledhja do të nisë në orën 11:00 me fjalën e kryeministrit Edi Rama dhe do të vijojë me raportimet e ministrave, të ndara në disa sesione.
Në pjesën e parë të agjendës, nga ora 11:00 deri në 14:00, do të prezantojnë ministrat e Mbrojtjes, Drejtësisë, Financave, Ekonomisë dhe Inovacionit, Infrastrukturës dhe Energjisë, Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Pushtetit Vendor dhe Administratës Publike.
Më pas, agjenda vijon me ministrat e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Arsimit dhe Sportit.
Secili prej ministrave ka në dispozicion 15 minuta: 10 minuta për prezantimin dhe 5 minuta për diskutime.
Pas drekës, në orën 15:00, nis sesioni i dedikuar diplomacisë dhe punëve të jashtme.
Në këtë pjesë do të raportojnë ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, kryenegociatorja për integrimin europian, ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, si dhe ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin.
Pas raportimeve të ministrave, agjenda parashikon edhe disa prezantime të tjera.
Në orën 16:00 pritet të prezantohen problematikat e proceseve të prokurimeve për periudhën janar–gusht 2026. Më pas do të raportohet mbi masat e Agjendës së Reformave, sfidat, arritjet dhe propozimet, si dhe ecurinë e projekteve të AIC-së.
Një hapësirë e konsiderueshme në agjendë i është kushtuar edhe komunikimit dhe promovimit në media. Ky prezantim është parashikuar të zgjasë 32 minuta, nga ora 16:28 deri në 17:00.
Në orën 17:00 nisin komentet dhe diskutimet, të cilat do të zgjasin një orë. Në fund të takimit do të mbajë fjalën përmbyllëse kryeministri Edi Rama.
Retreat-i zhvillohet pas takimit të së dielës në Pogradec mes Ramës, drejtuesve politikë të qarqeve dhe kryetarëve të komisioneve parlamentare, ku u diskutua organizimi i mëtejshëm i strukturave socialiste dhe mekanizmat e rinj për trajtimin e kërkesave të qytetarëve./ Pamfleti
“KORÇA BOOM”
















