Një emër që Kolonja nuk e harron! Kush ishte njeriu që ndezi ekranin e parë në Ersekë
Në Ditën Ndërkombëtare të Televizionit, rubrika “Rrënjët e Kolonjës” sjell në vëmendje historinë e një prej njerëzve që kanë lënë gjurmë në jetën kulturore dhe qytetare të kësaj treve: Arben Cakës, i njohur nga të gjithë si “Beni fotografi”.
Ai ishte njeriu që themeloi ERA-TV, televizionin e parë dhe të vetëm lokal të Kolonjës, i cili për afro një dekadë u bë një dritare e rëndësishme informimi për banorët e Ersekës dhe gjithë krahinës.
I lindur më 23 janar 1966, Arben Caka e nisi rrugëtimin e tij si muzikant, për t'u përkushtuar më pas fotografisë dhe kamerës. Pasioni për artin dhe teknologjinë e shtyu të ndiqte një ëndërr që në atë kohë dukej e vështirë për t'u realizuar: krijimin e një televizioni lokal për vendlindjen e tij.
ERA-TV nisi transmetimet në vitin 1999 dhe vijoi deri në vitin 2010. Përgjatë këtyre viteve, kamera e Benit ishte e pranishme thuajse kudo ku zhvillohej jeta e Kolonjës. Nga aktivitetet kulturore e sportive, te ngjarjet qytetare dhe problematikat e përditshme, ai filmonte, montonte dhe përcillte gjithçka që kishte rëndësi për banorët.
Përmes ekranit të ERA-TV, kolonjarët patën mundësinë të shihnin veten, njerëzit e tyre, aktivitetet dhe historitë që ndodhnin pranë tyre. Televizioni nuk ishte thjesht një sipërmarrje për Arben Cakën, por një pasion dhe një mënyrë për t'i dhënë zë vendit të tij.
Në një kohë kur mundësitë teknologjike dhe financiare ishin të kufizuara, ai arriti të ndërtonte një televizion lokal, duke dëshmuar se edhe një krahinë e vogël kishte histori, njerëz dhe ngjarje që meritonin të transmetoheshin.
Sot, edhe pse ERA-TV i ka ndërprerë transmetimet prej vitesh, gjurmët e punës së tij mbeten në kujtesën e atyre që e ndoqën dhe përjetuan atë periudhë.
Arben Caka, “Beni fotografi”, është një nga ata njerëz që nuk pritën që mundësitë t'u vinin, por i krijuan vetë.
Sepse një ekran mund të fiket, por kujtimi i njeriut që ia dha për herë të parë Kolonjës, nuk shuhet kurrë.
“KORÇA BOOM”
















