top of page

Në pranga administratori i ECO-ELB, hetimi për inceneratorin hyn në një fazë të re

4 hours ago
2 min read

Leli Kraja, administratori i kompanisë koncesionare “ECO-ELB”, është vënë në pranga nga agjentët e BKH-së, në kuadër të një hetimi për abuzime të dyshuara financiare lidhur me inceneratorin e Elbasanit dhe menaxhimin e mbetjeve urbane.


Sipas raportimeve paraprake, Kraja është arrestuar pak minuta më parë, ndërsa një burim i cituar nga noa.al pretendon se ndalimi është kryer në mënyrë spektakolare nga një ekip i BKH-së.


Arrestimi vjen pas një operacioni të gjerë të Prokurorisë së Elbasanit, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, gjatë të cilit janë kryer kontrolle në disa banesa dhe ambiente të personave të përfshirë në hetim.


Me urdhër të prokurorisë dhe në zbatim të një vendimi të Gjykatës së Elbasanit, janë ushtruar 14 kontrolle në banesa të zyrtarëve dhe përfaqësuesve që dyshohet se kanë pasur lidhje institucionale dhe financiare me kompaninë “ECO-ELB”.


Në fokus të hetimit janë edhe disa zëvendëskryetarë bashkish në qarkun e Elbasanit, si dhe drejtues të strukturave juridike dhe financiare, të cilët dyshohet se kanë pasur rol në marrëdhëniet institucionale dhe financiare me kompaninë që menaxhon mbetjet urbane.


Kontrollet janë zhvilluar pasi Prokuroria e Elbasanit kishte përfunduar fazën e marrjes në pyetje të 43 personave, të cilët ishin thirrur për të dhënë shpjegime mbi mënyrën e funksionimit dhe menaxhimit financiar të inceneratorit.


Sipas të dhënave të bëra publike për hetimin, procedimi është regjistruar për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Keqmenaxhimi i mbetjeve”.


Hetimi, i nisur në vitin 2024, konsiderohet voluminoz dhe kompleks. Në fokus të tij është analiza e marrëdhënieve institucionale dhe financiare mes kompanisë “ECO-ELB” dhe tetë bashkive të qarkut të Elbasanit.


Me arrestimin e administratorit të kompanisë, hetimi tashmë hyn në një fazë të re, ndërsa pritet që autoritetet të bëjnë të ditura edhe detaje të tjera lidhur me përgjegjësitë e personave nën hetim dhe procedurat e ndjekura në menaxhimin e mbetjeve urbane.

“KORÇA BOOM”


bottom of page