Ra nga kati i dytë gjatë punimeve, humb jetën 64-vjeçari
Një ngjarje e rëndë është regjistruar këtë pasdite në lagjen “Varosh” të Gjirokastrës, ku një 64-vjeçar ka humbur jetën pasi dyshohet se ka rënë aksidentalisht nga kati i dytë i një banese.
Viktima është identifikuar si Agron Nika, 64 vjeç, banues në Dimal. Sipas të dhënave paraprake, ai ishte marrë për të kryer punime në banesën e djalit të një shtetasi nga Fieri.
Gjatë punimeve, 64-vjeçari dyshohet se ka rënë nga kati i dytë i banesës, duke marrë plagë të rënda. Pavarësisht ndërhyrjes, ai nuk ka mundur t’u mbijetojë dëmtimeve të marra.
Në lidhje me ngjarjen, Policia e Gjirokastrës ka arrestuar shtetasin Jani Fuli, i dyshuar për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.
Sipas autoriteteve, materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme, ndërsa hetimet vijojnë për të përcaktuar me saktësi rrethanat e aksidentit dhe nëse janë respektuar rregullat e sigurisë gjatë punimeve.
Ngjarja ka sjellë tronditje, ndërsa autoritetet po vijojnë veprimet hetimore për të zbardhur të plotë atë që ndodhi gjatë punimeve në banesë.
“KORÇA BOOM”
















